Afera e përgjimeve, për të cilën opozita thotë se ka nxjerr në sipërfaqe “veprimet kriminale të pushtetit aktual”, ka nxitur debate edhe për rolin e partive shqiptare, të cilat gjithashtu kanë qenë pjesë e përgjimit të mijëra bisedave telefonike.
Në disa audio-incizime të publikuara dëgjohet zëri i politikanëve shqiptarë, si të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet, ashtu edhe të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë, se si merren vesh kryesisht me drejtuesit e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, për “prishjen e rezultateve zgjedhore në disa qytete dhe emërimin e gjykatësve, sipas nevojave të tyre partiake”.
Nga BDI-ja nuk kanë komentuar përmbajtjen e tyre duke kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, ndërsa PDSH-ja ka thënë se “bëhet fjalë për biseda të montuara që kanë për qëllim prishjen e imazhit dhe angazhimin e saj në vazhdimësi për kauzën kombëtare”.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike, thonë se “afera e përgjimeve ka demaskuar përfundimisht partitë shqiptare, të cilave nuk u intereson asgjë tjetër, përveç interesave personale dhe partiake”.
Xhelal Neziri, analist, thotë se afera ka nxjerr në sipërfaqe faktin se shqiptarët janë pa opozitë, pasi dy partitë i janë nënshtruar partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, siç shprehet ai.
“Kemi një situatë kur BDI-ja është zyrtarisht në qeveri dhe kur PDSH-ja është jozyrtarisht në qeveri, situatë kur dy partitë faktikisht kanë një qendër, nga e cila kontrollohen apo koordinohen. Kjo qendër gjithsesi se nuk mban llogari për interesat e shqiptarëve, por as për interesat në përgjithësi të qytetarëve”.
“Sikur të kishte funksionuar një opozitë e mirëfilltë, sigurisht se nuk do të kishim ardhur deri te kjo apati që ekziston tek elektorati shqiptar, pjesa më e madhe e të cilit abstenon dhe nuk del në zgjedhje”, thotë analisti Xhelal Neziri.
I të njëjtit mendim është edhe Alajdin Demiri, njohës i rrethanave politike, duke theksuar se qëllimi kryesor i VMRO-DPMNE-së, është nënshtrimi i partive politike shqiptare.
“Kjo situatë e këtillë është krijuar nga nevoja e pushtetit të VMRO-së, që t’i nënshtrojë partitë politike shqiptare dhe t’i bëjë mjet të vetin për t’i disiplinuar shqiptarët dhe për të ulur nivelin e kërkesave të tyre duke e shtyrë apo duke blerë kohë se proceset në Maqedoni kanë përfunduar dhe se tani shqiptarët duhet të sillen si qytetarë të dëgjueshëm ose si pjesë e VMRO-së”, thotë Demiri.
Ai shton se materialet e publikuara nga ana e opozitës për atë që njihet si “aferë e përgjimeve”, kanë ngritur nevojën e kërkimit të një opsioni të tretë politik nga ana e shqiptarëve pasi dy partitë ekzistuese, siç thotë ai, kanë humbur legjitimitetin e përfaqësimit.
“Do të jetë detyrim i shqiptarëve dhe i politikës shqiptare që të krijojnë këtë opsion të tretë dhe të bëjnë një subjekt më të fuqishëm, i cili mund që në këtë fazë, këto ngrehina të partive politike shqiptare të fillojnë t’i zhdukin, pasi veprimi i tyre është i pakuptimtë dhe i dëmshëm”, vlerëson Demiri.
Sa i përket opsionit të tretë, analisti Xhelal Neziri thekson se tani pas “aferës së përgjimeve”, kemi një pasqyrë të qartë, e cila mund të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
”Tani kemi një qartësim të situatës, kemi dy parti që janë në koalicion me VMRO DPMNE-në, njëra zyrtarisht dhe tjetra jozyrtarisht, kurse në anën tjetër kemi tri parti politike që janë në formim e sipër, që tentojnë të formojnë atë që quhet opozitë shqiptare. Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një pasqyrë shumë më të qartë dhe më pozitive për shqiptarët”, konsideron Neziri.