Ndërlidhjet

Maqedoni: Heshtje për përgjimin e ambasadorëve


Drejtuesit e institucioneve vazhdojnë të heshtin denoncimin e liderit të opozitës, Zoran Zaev, i cili në kuadër të dëshmive për, siç shprehet, punën kriminale të Qeverisë së Maqedonisë, bëri të ditur se në mesin e mijëra personave të përgjuar nga strukturat e sigurimit të shtetit, janë të paktën edhe gjashtë ambasador të huaj.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i pyetur për këtë rast, përgjigjen e devijoi duke u përqendruar në rastin “puçi”, që ka të bëjë me hetimin e liderit të opozitës dhe të disa bashkëpunëtoreve të tij se gjoja materialet e përgjimeve i kanë siguruar nga shërbime sekrete të huaja me qëllimin e vetëm, rrëzimin e qeverisë dhe ardhjen e tij në pushtet në kundërshtim me vullnetin e popullit, siç u shpreh Gruevski.

Lajmin se në mesin e të përgjuarve janë edhe diplomatë të huaj, i pari e publikoi ambasadori i Italisë, Ernesto Masimo Beleli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori Beleli tha se për këtë është njoftuar nga kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev.

Ne kemi biseduar me kolegët e Bashkimit Evropian për një mundësi të tillë, kuptohet se nuk kemi dëshmi për këtë, por kur kohë më parë u takuam me liderin e partisë kryesore të opozitës, ai më tha se janë përgjuar edhe disa ambasadorë të akredituar këtu dhe disa nga ta që tani janë larguar nga Maqedonia”.

“Kjo na brengos pasi është në kundërshtim me Konventën e Vjenës, e cila thotë se diplomatët nuk guxon të përgjohen, madje ata nuk mund të përgjohen as me ndonjë vendim gjyqësor. Aparatet telefonike janë mjet yni i punës dhe shërbejnë për dërgimin e mesazheve në vendet tona, kështu që as gjykatësit nuk mund të urdhërojnë dika të tillë”, tha ambasadori Beleli.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, njoftimin për përgjimin e diplomatëve të huaj e bëri të premten kur prezantoi edhe audio-incizime tjera për punën kriminale të Qeverisë në Shkup.

“Nga përgatitja e materialeve deri më tani kemi dëshmi për përgjimin e gjashtë ambasadorëve të huaj, janë të shteteve më të rëndësishme, të gjitha shtetet janë të rëndësishme, por të them se bëhet fjalë për shtetet më me ndikim, nuk e di se pse pikërisht ata janë përzgjedhur. Detaje nuk mund të jap, pasi këtë atyre do t’ia kumtojmë, ashtu siç vepruam me përgjimin edhe të gazetarëve”, deklaroi Zaev.

Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve të huaja gëzojnë imunitet të plotë dhe u garantohet lëvizja e lirë në përfaqësimin e shtetit të tyre dhe nëse dëshmohet se bisedat e tyre janë përgjuar, kjo mund të shkaktojë edhe kontest diplomatik, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Sipas tyre, përgjimi i ndonjë diplomati të huaj nënkupton edhe shkelje të sovranitetit të shtetit të tyre, që mund të ketë pasoja të rënda për Maqedoninë në planin e jashtëm.

“Është më se e sigurt se kjo qeveri numëron ditët e fundit, tani do të fillojëe izolimi gjithnjë e më i madh nga faktori ndërkombëtar, por do të ishte mirë që shtetet me ndikim të ndërmarrin diçka më shumë që përfundimisht t’ia bëjnë me dije këtij kryeministri se ky është fundi bashkë me qeverinë që ai udhëheq”.

“Në të kundërtën, kjo gjendje do ta dëmtojë edhe shumë më tepër Maqedoninë, do t’i dëmtojë qytetarët pasi nga përgjimet po shihet qartë se çfarë dëmesh kemi pësuar si qytetarë dhe si shtet nga kjo udhëheqësi. Andaj, sa më shpejt që të gjendet zgjidhje, do të ishte më mirë, si për qytetarët, ashtu edhe për shtetin”, vlerëson Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Ndryshe, afera e përgjimeve tashmë ka marr përmasa shqetësuese në Maqedoni, por me interes të madh po ndiqet edhe bashkësia ndërkombëtare. Komisionari për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimit i BE-së, Johanes Hahn, ka bërë thirrje për hetim të plotë të rastit, por edhe publikimin e të gjitha dëshmive që posedojnë partitë.

Ndërsa, presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, ka anuluar një takim në Bruksel me kryeministrin Nikolla Gruevski, me arsyetimin se nuk është momenti për një takim të tillë.

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, thotë se posedon dëshmi për përgjimin e paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve, në mesin e të cilëve, politikanë, gazetarë, klerikë, drejtues të OJQ-ve, diplomatë të huaj e shumë personalitete tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG