Ndërlidhjet

Migrimi ilegal fundos liberalizimin e vizave


Ilustrim
Ilustrim

Numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, thonë se pavarësisht punës së bërë deri më tash në zbatimin e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, zhvillimet e fundit në vend, migrimi ilegal, do të bëjnë që Komisioni Evropian ta ketë të vështirë që të rekomandojë heqjen e vizave për Republikën e Kosovës.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se migrimi ilegal edhe në vitin 2014, por edhe në muajin e parë të këtij viti ka shënuar rritje, dhe sipas tij, një situatë e tillë do ta dëmtojë punën e bërë nga institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Pa dyshim se numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, po e dëmton edhe ketë proces dhe do të vonojë vendimin eventual të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Ne po punojmë ngushtë me këto vende dhe me Komisionin Evropian për të adresuar edhe çështjen e migrimit jo të rregullt”, tha Rexhepi.

Rexhepi tha se secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të kërkojë dhe të gjejë një jetë më të mirë kudo, por jo në formën e migrimit të parregullt.

“Ne vazhdimisht ju kemi bërë thirrje qytetarëve që të mos migrojnë në këtë formë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sepse është një rrugë me rrezik për ta dhe për familjet e tyre”, tha Rexhepi.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar para pak kohësh pati deklaruar se migrimi ilegal nga Kosova është një shqetësim për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.

Ai ka thënë se vala e madhe e migrimit jo të rregullt dhe rritja e madhe e aplikacioneve për azil nga qytetarët e Kosovës në BE duhet të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efikase nga Kosova.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kanë përmendur krijimin e një trask-force për t’u marrë me migrimin ilegal, mirëpo deri më tash, një mekanizëm i tillë nuk është krijuar.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se migrimi jo i rregullt i kosovarëve do t’i shkaktojë problem Kosovës, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.

“Lëvizjet kaq të mëdha të njerëzve, përkatësisht migrimi ilegal i njerëzve është diçka që shkon në dëm të procesit të liberalizimit të vizave, sepse liberalizimi i vizave apo shtetet që pretendojnë të jenë në zonën Shengen, duhet të konsiderohen vende të sigurta, ku ka stabilitet politik, ekonomik dhe juridik. Një lëvizje e tillë nuk mund të jetë pozitive, është e kundërta, mund të ndikojë negativisht”, tha Mazreku.

Migrimi jolegal mund të parandalohet vetëm me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për punësim, thotë Mazreku.

“Elementi i parë në fakt që duhet Kosova ta ketë është politika konstruktive që shkon drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Mendoj se arsyet kryesore pse njerëzit dalin nga Kosova është mungesa e perspektivës ekonomike”, tha Mazreku.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ende nuk ka ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, janë duke përsëritur në vazhdimësi se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për qytetarët e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG