Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet konkrete për të adresuar çështjen e migrimit ilegal, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në takimin e tetë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.
Ajo tha se duhet të bëhet gjithçka për të parandaluar këtë dukuri.
Presidentja Jahjaga, në këtë takim ku morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, tha se viti 2015 nuk duhet të jetë vit i migrimit ilegal, pasi që Kosova dhe qytetarët, siç u shpreh ajo, kanë vizion tjetër.
“Trendet e migrimit ilegal janë shqetësues dhe ne duhet të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të adresuar faktorët shtytës. Është e qartë që ato janë probleme që shtrihen në dy kategori – mungesës së hovshme të zhvillimit ekonomik, që lidhet me nivelin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, dhe rrjeteve kriminale, që po shfrytëzojnë këtë pakënaqësi ekonomike për të përfituar nga qytetarët tanë”, tha Jahjaga.
Kosova duhet t’i përforcojë përpjekjet për të fuqizuar arritjet e deritanishme në dialogun e liberalizimit të vizave, tha presidentja e Jahjaga.
“Unë jam e bindur që përmbushja e këtyre kritereve jo vetëm që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të përmirësojë efikasitetin e sistemit, të cilin e kemi ndërtuar që një dekadë e gjysmë”, tha Jahjaga.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në këtë takim të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i luftojë grupet kriminale që po mundësojnë migrimin e paligjshëm.
“Unë mund të them se qeveria po punon me përgjegjësi për të parandaluar këtë dukuri dhe ne jemi po ashtu të përkushtuar që të vazhdojmë më dialogun me të gjitha palët e interesuara për të adresuar këtë çështje në mënyrën më të përshtatshme. Ministritë përkatëse, veçmas ajo e Punëve të Brendshme, po luftojnë grupet kriminale që abuzojnë me fatin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi kryeministri Mustafa.
Ai tha se qytetarët e Kosovës mund të kenë zgjidhje shumë më të mira në vend, se sa ta marrin botën në sy.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se migrimi ilegal nga Kosova është një shqetësim për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.
Ai tha se vala e madhe e migrimit jo të rregullt dhe rritja e madhe e aplikacioneve për azil nga qytetarët e Kosovës në BE duhet të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efikase nga Kosova.
“Sa i përket migrimit dhe dialogut për liberalizimin e vizave të Kosovës, nuk është në interes të Kosovës që të rritet numri i kërkesave për azil në BE nga qytetarët e Kosovës. Migrimi ilegal është një problem me shumë nivele, që nga aspekti ekonomik dhe social e deri te ai i sigurisë dhe humanitar, dhe zgjidhjet mund të gjenden në adresimin e të gjitha këtyre niveleve. Aspekti i parë dhe më i rëndësishëm para së gjithash, por jo vetëm, është ekonomia”, tha mes tjerash Zhbogar.
Ai tha se një aspekt i rëndësishëm në trajtimin e kësaj teme është natyrisht sundimi i ligjit dhe siguria.
“BE me shqetësim tërheq vëmendje për përfshirjen e grupeve trafikuese të organizuara dhe kriminale që kërkojnë të përfitojnë nga dëshpërimi, si dhe për hapat që disa kosovarë janë të gatshëm t’i ndërmarrin për të arritur në BE përmes kalimeve ilegale të kufijve, në mënyrë të veçantë përmes Serbisë në Hungari”, tha Zhbogar.
Kurse, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, ka përmendur rastin e fundit të vdekjes së një qytetari nga Kosova dhe me herët vdekjen e 15 qytetarëve të tjerë të cilët duke tentuar të migrojnë ilegalisht kanë humbur jetën në lumin Tisa që gjendet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Ai tha se “është e dhimbshme, dëshpëruese dhe e pafalshme të lejohet që histori të tilla të përsëriten në Kosovë në vitin 2015”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i personave të cilët kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar, është rreth 23 mijë.
Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë kanë përsëritur se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për kosovarët.