"Bashkësia e komunave serbe, me siguri që do të ketë kompetenca ekzekutive, por çfarë do të jenë ato dhe në çfarë mase, kjo do të rregullohet me statutin e kësaj bashkësie", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, lideri i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, aktualisht, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Jabllanoviq, Lista Serbe tashmë është pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Cili do të jetë roli i juaj në institucionet e larta?
Aleksandar Jabllanoviq: Roli ynë, para së gjithash do të jetë që të luftojmë për të drejtat e serbëve në mënyrën më të mirë dhe kualitative, por gjithashtu të luftojmë edhe për të drejtat e të gjithë qytetarëve, në atë masë me të cilën Lista Serbe mund të kontribuoj.
Ne do të provojmë që në punën e ardhshme, përmes Kuvendit dhe në Qeveri të Kosovës, të tregojmë se jemi partner serioz dhe i besueshëm dhe partner në të cilin mund të llogaritet në periudhën e ardhshme, për arsyen e thjeshtë, sepse ne vendin tonë e shohim në Kosovë.
Në vendin tonë e shohim në atë mënyrë që të ardhmen në Kosovë e dëshirojmë dhe mund ta ndërtojmë vetëm të bashkuar dhe unik me të gjithë njerëzit tjerë që jetojnë këtu, me shqiptarët, me romët, me boshnjakët dhe me turqit, si dhe me të gjithë ata që kanë ide të shëndosha dhe moderne dhe që kanë për qëllim dhe për detyrë që disa gjëra të zeza nga e kaluara jonë të harrohen dhe të mos përsëriten kurrë. Së bashku, të gjithë, përmes zbatimit të disa ideve dhe standardeve të reja, të fillojmë që këtë shoqëri ta sjellim në një nivel më të mirë të jetesës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Jablanoviq, ju jeni ministër për Komunitete dhe Kthim dhe keni thënë se do të punoni për kthimin e personave të zhvendosur. Në çfarë mase mund të jetë real ai kthim të cilin e synoni?
Aleksandar Jabllanoviq: Unë jam i zgjedhur për ministër të Bashkësive dhe Kthimit dhe shumë njerëz këtë ministri e shohin si shenjë barazimi me serbët që janë të zhvendosur nga Kosova, por edhe me ata që jetojnë këtu. Por, megjithatë, kjo ministri është më shumë se aq. Kjo ministri është e ngarkuar për të gjitha bashkësitë, përveç bashkësisë shqiptare e cila jeton në Kosovë, por edhe për shqiptarët që jetojnë në komunat ku ata janë pakicë. Se cili do të jetë suksesi im në punë, në këtë ministri, do të varet nga shumë faktorë.
Por, dy faktorë janë vendimtarë. I pari ka të bëj me sigurinë. Do të thotë, në mjediset ku ne do ta mundësojmë kthimin, a do të kenë të kthyerit lirinë e lëvizjes dhe sigurinë elementare, në mënyrë që të munden të zhvillohen në atë hapësirë. Parakushti i dytë i rëndësishëm është se a do të ketë mjete ekonomike në buxhetin e kësaj ministrie për vitin 2015, në mënyrë që procesin e kthimit dhe procesin e përmirësimit të jetës në bashkësitë jo shumicë në Kosovë t’i ndihmojmë.
Në këtë moment, buxheti nuk është i kënaqshëm. Ne kemi bisedime mjaft serioze dhe garanci nga niveli më i lartë se lidhur me buxhetin dhe mjetet që gjenden në të, situata do të ndryshoj në mënyrë drastike, deri ditën e hënë, kur pritet edhe votimi për buxhetin. Mbetet të shohim se sa do të ketë mbështetje çështja e kthimit nga ana e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës. Treguesi më i mirë për këtë do të jetë nëse ata do të japi garancitë për siguri, për të cilat janë obliguar me marrëveshjen për koalicion., si dhe nëse do të ndajnë mjete financiare domethënëse që kthimi të mundësohet.
Radio Evropa e Lirë: Ju më parë keni thënë se gjatë 5 muajve të parë të vitit të ardhshëm do të formohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ajo Bashkësi nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. Si e shikoni ju funksionin e ardhshëm të këtij Asociacioni apo kësaj Bashkësie?
Aleksandar Jabllanoviq: Në një mënyrë krejtësisht serioze dhe të hapur, ne jemi marrë vesh për formimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe kjo është pika e parë e marrëveshjes sonë të koalicionit. Bashkësia e komunave serbe, gjithsesi që do të formohet në afatin e përcaktuar që përmendet në marrëveshjen tonë të koalicionit dhe për këtë nuk ekziston asnjë dilemë as te përfaqësuesit e partive politike shqiptare.
Për kompetencat e Bashkësisë së komunës serbe, në këtë moment nuk mund të flitet në mënyrën se cilat do të ishin ato kompetenca dhe në ç’masë do t’i jepen ato Bashkësisë. Por, gjithsesi, ajo që është e sigurt, kjo është temë për të cilën ne jemi të hapur që të bisedojmë dhe ne për të do të bisedojmë. Ajo që mund t’ju them me siguri në këtë moment, është se Bashkësia e komunave serbe, me siguri që do të ketë kompetenca ekzekutive. Se çfarë do të jenë ato dhe në çfarë mase, kjo do të rregullohet me statutin e Bashkësisë së komunave serbe, por, në mënyrë definitive, kompetenca ekzekutive do të ketë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, a do të votojë Lista Serbe për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës dhe a ekziston ndonjë kusht për këtë?
Aleksandar Jabllanoviq: Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, ende në asnjë rast nuk kemi pasur bisedime me kryeministrin dhe me ministrat në qeveri. Në atë moment që kjo temë vjen në rend dite, pres që për këtë temë të bisedojmë si njerëz serioz dhe jashtë medieve. Të shohim se çfarë përmban projektligji për formimin e Forcës së Armatosur, cili është qëllimi përfundimtar i tyre, për çfarë arsye po formohet ajo Forcë e Armatosur, çfarë vlerësimi është bërë për sigurinë tonë këtu në Kosovë dhe në kuadër të atij vlerësimi a kërkohet formimi i Forcave të Armatosura.
Ne do t’i kemi argumentet, me të cilat ndoshta do të përpiqemi ta pengojmë atë ide. Por, në çdo rast, ne jemi pjesë e kësaj qeverie dhe të gjitha proceseve që ndodhin në hapësirën e Kosovës dhe nuk mund t’i mbyllim sytë dhe të ikim nga bisedimet eventuale vetëm për shkak se nuk na pëlqejnë temat. Lista Serbe mbetet e hapur për të biseduar me partnerët e tij politik për të gjitha temat e rënda, përfshirë edhe temën për Forcën e Armatosur. Për rezultatet eventuale të marrëveshjeve, opinioni do të njoftohet me kohë. Ndërkaq, rezultatet e bisedimeve të tilla varet nga argumentet e palës së shqiptarëve të Kosovës, të cilët këtë temë, kur t’i vij koha, do ta sjellin në rend dite.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, para kësaj, në mesin e përfaqësuesve të Listës Serbe, nuk ka pasur bisedime se a do të shkohet drejt asaj që ta votojnë këtë opsion. Por, a ka pasur bisedime edhe me Beogradin lidhur me këtë temë?
Aleksandar Jabllanoviq: Nuk ka pasur bisedime për këtë temë, për shkak se ky opsion nuk është paraqitur në asnjë mënyrë. Ne nuk e dimë se çfarë përmban projektligji për formimin e Forcë së Armatosur të Kosovës. Deri në momentin që ne nuk e marrim atë zyrtarisht dhe të njoftohemi se çfarë përmban, ne për këtë temë nuk mund t’i japim kundër-argumentet.