Lista Serbe ka arritur marrëveshje me partitë e koalicionit qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, lidhur me çështjet që Lista Serbe kishte parashtruar për pjesëmarrje në p qeverinë së re të Kosovës.
Aleksandar Jablanoviq, kryetar i Listës Serbe dhe ministër i sapozgjedhur për Komunitete dhe Kthim, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Lista Serbe ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit qeverisës që Bashkësia e komunave serbe të formohet në tre apo 5 muajt e parë të vitit 2015, që nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Isa Mustafa, në të ardhmen e afërt të jepet garanci për kthimin dhe sigurinë e serbëve dhe jo shqiptarëve në Kosovë, si dhe vendosja e komunikacionit ajror dhe një linje hekurudhore në relacionin Beograd- Prishtinë.
Jablanoviq thekson se është arritur marrëveshje edhe për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe. Ai po ashtu tha se Lista Serbe ka kërkuar pjesëmarrjen në kreun e agjencive të sigurisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Lidhur me këtë kërkesë, sipas tij, është arritur pajtim verbal me partnerët e koalicionit. Megjithatë ai, nuk ka bërë të ditur detajet për këtë marrëveshje.
“Këto janë tema serioze dhe marrëveshjet nuk bëhen përmes opinionit, për këto tema do të bisedohet në mbledhjet e ardhshme të qeverisë dhe disa grupeve punuese, të cilat do të merren me ato çështje. Ajo që është kryesore, dua të them një gjë që është e saktë dhe këtë do ta tregoj koha, se serbët nuk kanë hyrë në këtë sistem që ta rrënojnë, por që ta gjejnë vendin e tyre në sistem dhe në këtë mënyrë, t’i mbrojnë disa interesa të tyre në këto hapësira”, theksoi Jabllanoviq.
Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve politike vlerëson se është befasuese shpejtësia e pranimit të kushteve dhe hyrja e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës edhe pse disa kushte, siç thotë ai, janë reviduar, sikurse kushti për anulimin e privatizimit në mjediset serbe. ai shton se ka edhe befasi tjera.
“Ajo që veçanërisht më ka befasuar mua edhe pse nuk e di nëse është arritur marrëveshje e veçantë, është fakti se kanë kërkuar dy pozita, zëvendës drejtuesin e shërbimit të inteligjencës , si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo për mua është befasi, sepse serbët kanë pasur neveri ndaj atyre sektorëve. Sidoqoftë, mendoj se është mirë, në qoftë se kushtet zbatohen dhe e gjithë kjo nuk është shkronjë e vdekur ne letër”, tha Nojkiq.
Milosh Subotiq, njohës i çështjeve juridike nga Mitrovica veriore, shpreh mendimin se marrëveshja e koalicionit qeveritar, sipas tij, realisht më tepër është marrëveshje e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq e jo me qytetarët serbë të Kosovës.
“Ndoshta marrëveshja e nënshkruar e koalicionit, mund të sjell deri te përafrimi i Beogradit dhe Prishtinës, por, në mënyrë definitive, mendoj se Prishtina dhe Mitrovica e veriut, gjegjësisht qytetarët e Mitrovicës së veriut, do ta kenë distancën e njëjtë sikur më parë”, theksoi Subotiq.
Ndryshe, simbolet shtetërore të Kosovës, të cilat në zgjedhjet lokale ishin kundërshtuar nga serbët e veriut të vendit, sa u përket institucioneve qendrore, tashmë nuk do të paraqesin problem për serbët. J
ablanoviq, theksoi se kjo është pjesë e kompromisit dhe se serbët që ka synuar institucionet e Kosovës, u pëlqeu ose jo, kanë qenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë.