Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka nënshkruar dekretimin e mandatarit për formimin e qeverisë së Kosovës.
Sipas marrëveshjes PDK-LDK, kandidat për kryeministër do të jetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Nënkryetarja e re e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit jo serb, Duda Balje, ka njoftuar për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e bojkotojnë seancën e votimit të qeverisë së re, në shenjë pakënaqësie me mos-përmbushjen e kërkesave të tyre për të hyrë në qeveri.
Ky vendim i tyre pason një takim që ata zhvilluan më herët me partnerët e koalicionit PDK - LDK.
Lista Serbe nuk kthehet në Kuvend
Deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 ulëse në Kuvendin e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet formimi i qeverisë së re të vendit. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq.
“Nuk do të marrim pjesë, për shkak se nuk po shohim se janë përmbushur kushtet e Listës Serbe për të marrë pjesë në qeveri dhe ne nuk e shohim nevojën që të jemi pjesë e Kuvendit me rastin e zgjedhjes së qeverisë”, theksoi Jablanoviq.
Ndryshe, kushtet të cilat Lista Serbe i ka përfolur tash e disa muaj, janë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, kthimi i qëndrueshëm i personave të shpërngulur, mundësimi i kthimit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe të anulohet privatizimi i ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët.
Jabllanoviq ka theksuar se, shkak i mosmarrëveshjes lidhur me kushtet “kanë të bëjnë, fillimisht, me mënyrën e formulimit të tyre”.
Fillon seanca për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Isa Mustafa.
Mustafa është nominuar nga lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që paraprakisht kishte marrë mandatin nga presidentja Atifete Jahjaga.
Në sallë janë 104 deputetë nga 120 sa ka gjithsej ky institucion.