Mblidhet për herë të parë Kryesia e re e Kuvendit
Kryetari i posazgjedhur i Kuvendit të Kosovës ka thirrur mbledhjen e parë të Kryesisë së re të këtij institucioni në orën 13.00.
Në atë takim, pritet të qartësohet se kur do të thirret edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, me pikën tjetër, atë të zgjedhjes së kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit të ri qeveritar.
Opozita bojkoton fjalimin e Veselit
Deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën e Kuvendit, në momentin kur kryetari i ri i legjislaturës ka zënë vendin e tij.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thënë paraprakisht se Kadri Veseli "paraqet shefin e nëntokës në Kosovë, që tani me votat e deputetëve të Kosovës u zgjodh kryetar i Kuvendit".
Pakicat me dy nënkryetarë të Kuvendit
Në bazë të dispozitave kushtetuese që u garantojnë përfaqësim në institucione dhe pozita të larta udhëheqëse, edhe komunitetet pakicë kanë zgjedhur dy nënkryetarë të Kuvendit.
Ata janë, Jasmina Zhivkoviq nga Lista Serbe dhe Duda Balje nga komunitetet tjera jo-serbe.
Te komunitetet jo-serbe, posti i nënkryetarit do të ketë rotacion çdo 14 muaj.
Kuvendi zgjedh tre nënkryetarë të ri
Pas zgjedhjes së kryetarit, Kuvendi ka proceduar edhe me zgjedhjen e tre nënkryetarëve me 98 vota për, 2 kundër dhe 15 abstenime. Ata janë, Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK) dhe Glauk Konjufca (Vetëvendosje).