Ndërlidhjet

Papunësia e lartë, shkaktare e migrimit


Trendi në rritje i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore është shkaktuar nga niveli i lartë i papunësisë te të rinjtë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Shkalla e papunësisë te të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 55 për qind.

Gjatë një konference për media me temën “Papunësia e të rinjve dhe iniciativat filantropike për krijimin e mundësive për ta”, përfaqësues të shoqërisë civile iu kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrin hapa konkret në përmirësimin e politikave sociale në mënyrë që të parandalohet ikja e të rinjve nga Kosova.

Migrimin e paligjshëm të qytetarëve të Kosovës që kohëve të fundit është një trend në rritje, përfaqësuesit e shoqërisë civile e konsiderojnë mjaft shqetësuese.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha ka theksuar duhet të krijohen mundësi më të mira për të rinjtë, që ata të mos zgjedhin ikjen nga Kosova.

“Është një situatë mjaft kritike dhe e ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti për të rinjtë dhe kjo konferencë e cila ka për qëllim krijimin e mundësive për të rinjtë vjen në një kohë kur po përballemi me një ikje masive të qytetarëve kosovarë, për arsye ekonomike dhe sociale”, shton ajo.

Ndryshe, sipas të dhënave të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Kosovë nga muaji janar e deri në shtator, janë mbi 8 mijë persona që kanë lënë Republikën e Kosovës.

Në adresë të institucioneve të Kosovës, shoqëria civile ka hedhur një varg kritikash sa i përket migrimit të paligjshëm që po bëjnë qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, institucionet zakonisht mobilizohen për të ndaluar këtë migrim vetëm atëherë kur raportohet nga mediat se po ka ikje të qytetarëve nga Kosova.

Drejtori i Institutit të për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi thekson se ajo çfarë po bëjnë institucionet për të ndalur migrimin e paligjshëm është mënyrë e gabuar.

“Po mendojnë që duke i ndalur në kufijtë njerëzit dhe duke mos i lejuar që të dalin jashtë vendit apo duke bërë fushata kundër ikjes jashtë vendit mendojë që është qasje e gabuar për të zgjidhur problemin, për shkak se ata janë në dijeni se ka vështirësi kur ata do të dalin jashtë vendit, por prapë se prapë ndërmarrin këtë rrugë”, shprehet Demi.

Papunësia te të rinjtë në Kosovë vlerësohet se ka krijuar efekte negative afatgjate. Të rinjtë e papunë thuhet se nuk kanë arritur të integrohen në shoqëri për shkak të mungesës së të ardhurave.

Për të zgjidhur këtë problematikë dhe të për të parandaluar ikjen e të rinjve nga vendi, Agron Demi thotë se Kosovës i duhet një strategji e punësimit.

“Na nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse e zhvillimit ekonomik e cila së paku përgatit kuadrat e reja me profesione të shekullit 21 dhe më pas krijon programe, qoftë edhe pa edukim formalapo edukim universitar, por që iu krijon të rinjve mundësi për punësim”, thekson Demi.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Divizionit të punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Haviz Leka tregon se të dhënat për papunësisë tek të rinjtë janë edhe më të larta se 55 për qind.

Ai thekson se nëse merren dy grupmoshat nga 15 deri 24 vjeç dhe 25 deri 34 vjeç del që papunësia te të rinjtë në Kosovë është 75 për qind.

“Dhe kjo nuk ka as një koment as për polikë bërsitë as për faktorin politik që vepron në Kosovë, dhe kjo duhet të jetë brengosëse sfiduese edhe në politikat e tyre dhe edhe në politikat tona që në i zbatojmë”, shprehet Leka.

Të rinjtë në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë, krahasuar me të rriturit dhe ky dallim ishte më i shprehur tek meshkujt.

Ndërkohë, sa i përket kohëzgjatjes së papunësisë, 59.8 për qind kanë qenë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 16.8 për qind e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG