Autoritetet në Kosovë vazhdimisht bëjnë thirrje për të mos migruar në mënyrë të paligjshme, por që pavarësisht kësaj, shumë të rinj të Kosovës vazhdojnë të kenë interesim për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore.
Së fundi është evidentuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët kanë lëshuar Kosovën për një jetë më të mirë në ndonjë nga vendet perëndimore .
Radio Evropa e Lirë në rubrikën e përjavshme VOX, sjell mendimet e disa të rinjve që ata kanë rreth migrimit.
Shumë prej tyre, shprehen kundër migrimit të paligjshëm, por, siç thonë ata trendi në rritje i kësaj dukurie është pikërisht për shkak të mos perspektivës së të tyre në këtë vend.
Shqiproni është 20 vjeç student në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se nuk do të dëshironte të migronte, pasi që kushtet ekonomike dhe sociale i ka të mira, por që nëse ai nuk do të kishte këto kushte ekonomike çfarë ka aktualisht, gjithsesi thotë se nuk do të jetonte në Kosovë.
“Varet prej kushteve familjare, ne jemi student dhe investimet i bënë familja. Familja ime jeton jashtë vendit dhe ata më ndihmojnë financiarisht. Në Kosovë është problem edhe pas përfundimit të studimeve t’i nuk arrin të gjesh punë dhe kjo bën që të rinjtë të ikin. Unë momentalisht nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, shton ai.
Edita një vajzë nga Prishtina është kundër migrimit të paligjshëm të cilin shumë qytetarë të Kosovës kanë bërë së fundi .
“Unë nuk kisha bërë migrim të paligjshëm, nuk duhet bërë nga askush, nuk mund të përkrahi asnjë qytetar që merr atë rrugë më shumë rreziqe”, shprehet Edita.
Sipas të dhënave të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Kosovë nga muaji janar e deri në shtator, janë mbi 8 mijë persona që kanë lënë Republikën e Kosovës.
Arlind Hyseni një i ri tjetër nga qyteti i Ferizajt i cili ka përfunduar shkollimin e mesëm, thotë se do ta kishte bërë të njëjtë gjë çfarë kanë bërë këta 8 mijë persona. Kushtet e vështira ekonomike dhe sociale thotë ai, të detyrojnë të ikësh nga vendi.
“Po të njëjtën gjë do ta bëja, sot po të më ofrohej mundësia iki nga vendi. Këtu nuk ka as punë as asgjë, do të kisha ikur për një jetë më të mirë”, shprehet ai.
Ndryshe nga Arlindi, Njomza thotë se nuk do të ikte jashtë vendit. Ajo tregon se prindërit e saj çdo herë insistojnë që të ikin nga Kosova, por që ajo është kundër atij vendimi.
“Mendoj që është shumë keq. Prindërit e mi thonë që të dalim jashtë vendit, por unë nuk dua, dua të rri në Kosovë unë jam shqiptare dhe dua të jetojë me njerëz që kanë mentalitetin tim. Këtu e kemi një jetë normale dhe nëse dalim jashtë ndoshta mund të kemi një jetë me më shumë luks, por unë preferoj të jetoj në këtë jetë normale pa luks”, thotë ajo.
Interesimi i të rinjve për të migruar në shtetet e ndryshme, kryesisht ka të bëjë me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë. Këtë e thotë edhe Fitore Sinani 19 vjeç. Ajo mendon se çdo vend i Bashkimit Evropian ofron kushte më të mira se sa që janë në Kosovë.
“Të rinjtë nuk po kanë si të përparojnë këtu nuk po ka vende të punës, në njëfarë mënyrë janë të detyruar të migrojnë. Edhe unë do të ikja nga Kosova në ndonjë vend ku mund të punojë dhe do të shkojë në një vend ku do t’i kisha pasur kushtet më të mira sesa që janë në Kosovë”, thekson ajo.
Disa të rinj e theksojnë edhe atë që kanë dëgjuar se shumë persona të cilët nga Kosova kanë tentuar të migrojnë në vende të ndryshme perëndimore janë përballur më shumë sfida.
Ata thonë se kanë dëgjuar edhe nëpër media se shumë qytetarë të Kosovës të cilët kanë tentuar të bëjnë migrim të paligjshëm, janë mbajtur në kampe refugjatesh me kushte minimale për jetë.
Donika një vajzë e re nga qyteti i Prishtinës thotë se duke pasur parasysh gjitha këto rreziqe që mund t’i ketë migrimi i paligjshëm, nuk do të ikte nga Kosova.
“Unë mendoj që nuk janë duke bërë mirë, për arsye se po shihen kushtet që janë duke u zhvilluar atje. Më shumë duhet të merret shteti i Kosovës që të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe të mos bëhet ky migrim. Nëse ishin bërë kushte të mira njerëzit nuk kishin qenë të detyruar të migrojnë paligjshëm”, thekson ajo.
Ndryshe, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovë është vlerësuar që me një papunësi mbi 30 për qind dhe me një nivel të lartë të varfërisë, çdo herë ekziston një potencial i lartë për migrim.