Ndërlidhjet

Gjuha e urrejtjes e dëmshme për shoqërinë


Prishtinë
Prishtinë

Kohëve të fundit rrjetet sociale siç është Facebook, por edhe të tjera, janë bërë mjete të fuqishme që po mundësojnë komunikimin dhe ndarjen e informacionit me miqtë, të njohurit dhe të pa njohur. Por, me këtë fuqi vjen edhe mundësia për keqpërdorim.

Sociologët, konsiderojnë se së fundmi vërehet se është e pranishme gjuha e urrejtjes, gjë që sipas tyre diçka e tillë, nuk do të duhej të ndodhte.

Sociologu Ismail Hasani, përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga kushdo qoftë e quan shumë të dëmshme për gjithë shoqërinë në përgjithësi.

Hasani thotë se shfaqja e gjuhës se urrejtjes nuk lejohet, por ajo po përdoret për faktin se mekanizmat shtetëror janë të shthurur.

“Sot është e mjaftueshme që dikujt t’i teket edhe menjëherë ta shpall njeriun prostitutë, ta shpall njeriun matrapaz, narko-mafi, dinak, dhelpër e tjera. Përfundimisht kjo i bën dëm Kosovës ,ky vokabular dhe kjo qasje”, tha Hasani.

Hasani konsideron se jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në portale dhe media të ndryshme vërehet qartë gjuha e urrejtjes.

“Në atë kuptim mendoj se është mirë që të krijohen mekanizma mbrojtës të fjalës së lirë. Fjala e lirë, duhet të jetë fjalë e lirë jo fjalë denigruese, fjalë poshtëruese, fjalë që kërkon gjakë, që kërkon depërtimin e tjetrit. Do të thotë, të gjitha këto janë gjëra të hershme të cilat fatkeqësisht Kosovës po i ndodhin”, tha Hasani.

Edhe profesori në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, Fadil Maloku, tha për Radion Evropa e Lirë se dukuria e gjuhës së urrejtjes është prezente për faktin se qytetarët e sidomos të rinjtë, ballafaqohen me probleme të shumta socio-ekonomike.

“Kjo gjuhë e urrejtjes është produkt i një frustrimi të gjithë qytetarëve. Mos të harrojmë se Kosova është një vend i cili është në një geto. Ende nuk ka një qarkullim të lirë të njerëzve dhe njerëzit duke qenë të frustruar unë kujtoj që e rrisin shkallen e agresiviteti edhe në raport me të tjerët duke komunikuar për problemet e ndryshme të cilat mund të jenë ekzistenciale politike, ekomomike, në çfarëdo natyre. Nganjëherë është gjuhë e urrejtjes, por ka dyshim edhe gjuhë e arrogancës e cila prodhon situata të pakëndshme në media, publik e kështu me radhë”, tha Maloku.

Në mungesë për të ditur se si duhet komunikuar në publik dhe në mungesë të rregullave të tjera, Kosova ka ngecur në disa aspekte, thotë sociologu Maloku.

“Fjala publike mundet me të keqkuptohet, por sot nuk je i mbrojtur. Në Kosovën tonë 15 vjet pas luftës akoma nuk kemi ligje që e mbron qytetarin prej denoncimeve, shpifjeve prej gënjeshtrave e kështu me radhë. Edhe kjo është një adresë, por unë po i adresohem atij frustrimit që njerëzit nganjëher pa ndonjë vetëdije, por ka edhe të tillë që me qellim bejnë provokime të kësaj natyre edhe ngrisin tension në publik dhe nuk japin përgjegjësi”, u shpreh Maloku.

Edhe qytetarët thonë se kanë vërejtur që sidomos në rrjetet sociale ka gjuhe të urrejtjes.

Yll Berisha, student nga Prishtina thotë se gjuhën e urrejtjes më së shumti e has në rrjetet sociale.

“Ka shumë profile në Facebook, ku njerëzit fshihen pas një emri jo të vërtet dhe bëjnë komente dhe shfaqin atë mllefin që kanë brenda. Kjo nuk bëhet vetëm nga njerëzit e thjeshtë por mendoj edhe nga figura publike”, tha Berisha.

Kurse, Arianit Krasniqi thotë se gjuha e urrejtjes është e pranishme kudo.

“Ajo që mund të them është se gjuha e urrejtjes është e pranishme më shumë se sa që duhet”, tha Krasniqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG