Ndërlidhjet

Fushatë kundër ngacmimeve


Newborn, Prishtinë
Newborn, Prishtinë

“Nuk është kompliment, është ngacmim”, është një nga thëniet që këto ditë po mbizotërojnë në rrjetet sociale në Kosovë.

Fjala është për ngacmimet që meshkujt ua bëjnë femrave nëpër rrugë, e që këto të fundit kanë organizuar një fushatë kundër kësaj dukurie.

Jo rrallë herë nëpër rrugë mund të vërehen ngacmime të tilla, shprehje të ndryshme që kryesisht komentojnë dukjen e një femre, nga persona të panjohur.

Nita Bllacaku, 22 vjeçare nga Prishtina, në profilin e saj në Facebook, ka postuar disa mesazhe të ngjashme, që bëjnë thirrje për vetëdijësim.

"Si feministe , e perkrahi fushatën, duke e luftuar këtë dukuri negative që po i cenon të drejtën secilës femër për të lëvizur lirshëm, e veshur ashtu si është ndjerë mirë"

"Është bërë e tepërt, femra shihet si objekt dhe poshtrëohet me fjalë banale çdo herë, në publik, në secilen rrugë të qytetit", ka shtuar Bllacaku.

Kjo fushatë vjen si rrjedhojë e ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, me ç’rast po shënohet 16 ditëshi i aktiviteteve për sensibilizim të opinionit.

Shqetësimi ndaj ngacmimeve që i hasin femrat në rrugë, nuk ka nisur tash. Ky fenomen global ndodhë pothuajse çdo ditë, në çdo vend të botës.

Grupi femACT, në kuadër të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, e që përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i feministeve dhe aktivistëve të rinj, ka adresuar këtë problematikë duke krijuar një fushatë të tillë.

Donjeta Morina koordinatore e këtij projekti, thekson se kjo fushatë ka nxitur reagime të shumta.

"Kemi parë një mobilizim dhe bashkim të jashtëzakonshëm të vajzave dhe grave, prej moshave, profesioneve, dhe prapavijave të ndryshme. Ka qenë me të vërtetë inspiruese".

"Reagimet negative kanë qenë kryesisht të lidhura me faktin që një kampanjë në media sociale nuk mundet të bëj ndryshime. Shpresojmë që tani që e kemi marshimin publik, këta zëra kritik do të na bashkangjiten".

"Reagime shqetësuese kemi marrë nga shumë persona që janë kyçur në debat duke “fajësuar viktimat”, do të thotë nga ata të cilët pretendojnë që mënyra se si ne vishemi dhe si sillemi provokon ngacmime seksuale.
Ky është një problem jashtëzakonisht i madh, pasi që ata po injorojnë fjalët tona kur ne po themi që ne e kemi këtë problem çdo ditë, pa marrë parasysh se si vishemi"
, ka shtuar Morina.

Me ato që njihen si #hashtags [fjalë kyçe], profilet në Facebook dhe Twitter kryesisht të gjinisë femërore, janë mbushur me kërkesa drejtuar gjinisë mashkullore për të ndalur dukurinë e ngacmimeve me fjalë.

Por, e njëjta fushatë, u përball edhe me kritika, po ashtu nga pjesëtare të gjinisë femërore, të cilat pohojnë se rrjetet sociale nuk janë adresa e duhur për të adresuar kërkesat në fjalë.

Blerina Dërmaku nga Prishtina, studente në fakultetin juridik, shprehet për Radion Evropa e Lirë se kjo lloj fushate nuk është e mjaftueshme për vetëdijësim të shoqërisë.

"Mendoj se fushata që po bëhet me anë të rrjetit social Facebook, nuk mundet të arrijë efektin e duhur. Ky fenomen nuk mundet të zhduket, sepse ka ekzistuar gjithmonë", thekson ajo.

Ata që u “sulmuan” nga kjo fushatë, kanë gjithashtu mendime të ndryshme mbi këtë fenomen. Të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, disa prej tyre thonë se kjo fushatë është e qëlluar, të tjerët pohojnë se kjo nuk është formë e zgjidhjes së këtij problemi.

Fat Limani, 29 vjeçar nga Prishtina, mendon se ky hap është mjaft i rëndësishëm për të kuptuar situatën në të cilën gjenden femrat.

"Mendoj se raportet mes njerëzve duhet të bazohen në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, pa marë parasysh gjininë.Njëra gjini, nëse komplimenton, e bën atë që ana tjetër të ndihet mirë. Në kohën tonë mendoj që askush nuk ka të drejtë ta fyejë diken për shkak të veshjes, fizikut, gjinisë apo preferencave tjera".
"Fushata mendoj se është e qëlluar dhe na rikujton se sa shpesh vihen në siklet vajzat, në baza ditore në shoqërinë tonë, por, fatkeqëshisht kjo dukuri është prezente në të gjitha shoqëritë e botës",
ka shtuar Limani.

Ndërkaq Besim Uka, student në Universitetin e Prishtinës, mendon se kjo fushatë do të nxit edhe më shumë ngacmimet ndaj femrave.

"Nuk besoj se kjo fushatë do të ketë ndikim të madh në parandalimin e ngacmimeve ndaj femrave, per me teper mendoj se kjo fushate do te kete efekt negativ dhe do i shtyej meshkujt të ngacmojne edhe me shume. Duhet të gjenden mënyra tjera të cilat munden të ndikojnë në uljen e këtyre rasteve si edukimi ne shkolla, shtëpi e të tjera".

I të njejtit mendim është edhe Blerim Murtezi, aktivist i shoqërisë civile.

"Mënyra e senzibilizmit të femrave përmes hashtagut “TakeBackTheNight” apo “Nata është e jona”, është një metodë e mirë për t’a ngritur zërin kundër cfarëdo ngacmimi që perjetojnë. Por, natyrisht që senzibilizimi vetëm përmes rrjeteve sociale nuk mjafton ngase mund të ketë shume femra që nuk kanë fare qasje në internet. Andaj, është më se e nevojshme që parandalimi i dukurive të ngacmimit të bëhet edhe përmes fushatave konkrete në terren", ka thënë Murtezi.

Sociologia Linda Gusia, ndërkaq mendon se kjo fushatë është një hap pozitiv drejtë diskutimit publik të këtij fenomeni dhe të kuptohet hapësira e cila ju takon grave në shoqëri.

“Mendoj se është mirë që po diskutohet publikisht për këtë fenomen, tash unë po e shoh se disa njerëz po konsiderojnë që nuk është çështje serioze, kjo ka të bëjë me faktin se tregohet që hapësira publike është e rezervuar për burra dhe me anë të ngacmimit, mundohen që me njëfar forme me i largu gratë nga hapësirat publike”

“Kosova është patriarkale, është një ndarje më e thellë mes publikës dhe privates në një far mënyre gratë janë të destinume me qenë në hapësira private, të përcjellura apo me ecë me dikë tjetër dhe kur ato marrin pjesë në hapësira publike, ngacmimet seksuale janë si një formë e kufizuar e lëvizjes së lirë së grave. Nuk ka të bëj ngacmimi me seksualitet sa ka të bëj me ruajtjen e hegjemonisë, ku kjo është hapësira e gruas dhe ju nuk ishit dashtë të jeni në këtë hapësirë".

Në kuadër të kësaj fushate me 29 nëntor është organizuar edhe një marshim i gjinisë femërore, kundër ngacmimeve në hapësira publike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG