Ndërlidhjet

Thaçi: Marrëveshja do të respektohet


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Grupet punuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë takuar të premten në Kuvendin e Kosovës.

Takimi që kishte nisur në mesditën e së premtes ka përfunduar pas më shumë se dy orëve, por detajet lidhur me atë se çfarë është diskutuar, nuk janë bërë publike, ndonëse ishte përfolur se ështëdiskutuar për ndarjen e posteve.

Megjithëkëtë, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se do të respektohet marrëveshja politike e arritur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa për koalicion qeverisës.

Deklaratën e tillë, Thaçi e ka bërë në Shkabaj, në vizitën që i ka bërë projektit për Fabrikën e përpunimit të ujit, për të cilën qeveria e vendit është duke bërë investime.

“Gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë. Sot janë takuar grupet punuese të LDK-së e PDK-së, për të harmonizuar çështjet programore. Është duke u punuar në mënyrë intensive”, ka thënë Thaçi.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas arritjes së marrëveshjes me Partinë Demokratike të Kosovës për krijimin e partneritetit qeverisës, pati deklaruar se marrëveshja parasheh që kreu i qeverisë do të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq resorët e qeverisë do të ndahen. Sipas tij ky është kushti për të hyrë në çfarëdo qeverie.

Por, lideri i PDK, Thaçi, as e ka pohuar, e as mohuar një gjë të tillë.

“Shpresoj që shumë shpejtë do të përmbyllet edhe kjo çështje dhe çdo gjë është duke shkuar në respektim të marrëveshjes së arritur në mes të PDK-së, LDK-së dhe partnerëve tjerë minoritar që do të jenë pjesë e institucioneve legjislative, ekzekutive dhe presidenciale”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, përmes rrjetit social Twitter ka kërkuar nga grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së, të punojnë për formimin e një qeverie, ku do të përfshihej çdo grup i shoqërisë në vend.

Jacobson ka thënë se diversiteti në qeveri, paraqet forcë më të madhe.

“Shpresoj që të angazhuarit në grupet punuese të LDK-së dhe PDK-së të kenë parasysh vlerën gjinore gjatë krijimit të qeverisë së re. Diversiteti = Fuqi”, thuhet në postimin e ambasadores Jacobson.

Ndryshe, pas arritjes së marrëveshjes, nënshkruesit e saj, patën shprehur bindjen se do të kenë një bashkëqeverisje të mirë gjatë mandatit të ardhshëm.

Së bashku, LDK dhe PDK kanë 67 deputetë dhe mund të llogarisin edhe në përfshirjen e pakicave, të cilat kanë të rezervuara 20 ulëse në Kuvend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG