Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë arritur të mërkurën mbrëma, marrëveshje në parim për ndërtimin e institucioneve.
Marrëveshja është arritur ndërmjet kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, në zyrën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte ftuar edhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Tracey Ann Jacobson.
Në një komunikatë për shtyp, presidentja e Kosovës citohet të ketë thënë se "me nismën e dy liderëve, zoti Thaçi dhe zoti Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese".
"Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë", thuhet në komunikatë n e lë shuar nga presidenca.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar gjithashtu përmes një komunikate arritjen e marrëveshjes, duke nënvizuar se "LDK-së do t'i takojë posti i Kryeministrit të vendit, derisa resoret ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë. Ndarja e resoreve ministrore do të bëhet gjatë ditëve në vijim, bazuar në punën e grupeve punuese".
Njoftimi pason takimin që zhvilloi deri në orët e mbrëmjes Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili morri vendim që kjo parti të kontaktojë dhe bisedojë me tërë spektrin politik të Kosovës në lidhje me qeverisjen e ardhshme.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike, kryetari i partisë Isa Mustafa tha para gazetarëve se partia e tij ka konfirmuar nominimin e tij për kryeministër dhe ka thënë se LDK-ja nuk do të bëjë debate për këtë.
“Nominimi im ka qenë para tetë muajve. Ky nominim është konfirmuar prapë në Këshillin e Përgjithshëm është konfirmuar edhe edhe sot. LDK-ja nuk pranon të hyjë në asnjë variant të qeverisjes së vendit në qoftë se LDK-ja nuk do të jetë në krye të qeverisë se vendit në të ardhmen. Ky është kushti i cili është përfunduar sot ne Këshillin e Përgjithshëm dhe ne nuk do të bëjmë më askënd debate dhe diskutime lidhur me ketë”, u shpeh Mustafa.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në komunën e Obiliqit se ishte përpjekur ta shpëtonte Bllokun e njohur si VLAN, në përbërje të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por, sipas tij, gjërat kanë rrjedhur në drejtim të kundërt.
"A u prish Blloku...?! Realisht nga e premtja e javës që shkoi ne jemi ndarë prej tavoline pa asnjë plan se çka të bëjmë tutje. Të gjithëve po iu dhimbset ta thonë atë fjalën e vështirë, por po, ka shkuar në atë drejtim çdo gjë. Pozicioni i AAK-së, ne nuk kemi marrë ende një vendim të qartë, por jemi të sigurt me qenë në opozitë", ka thënë Haradinaj.
Në anën tjetër, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar strukturat udhëheqëse të LDK-së dhe AAK-së se kanë si synim parësor postet dhe jo qeverisjen. Të dy partitë synonin postin e kryeministrit të Kosovës.
Sidoqoftë, me këtë marrëveshje në parim, të arritur në mes të PDK-së dhe LDK-së, Aleanca, Nisma dhe Vetëvendosje duket se do të mbeten në opozitë, në rast të finalizimit edhe formal të marrëveshjes.