Ndërlidhjet

LDK dhe AAK nuk heqin dorë nga kryeministri


Prishtinë...
Prishtinë...

Posti i kryeministrit të Kosovës mbetet çështja kryesore për ruajtjen e unitetit dhe marrëveshjes ndërmjet bllokut të partive të koalicionit pas-zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse e ka shtyrë vendimin përfundimtar për të mërkurën, ka përsëritur të martën qëndrimin se posti i kryeministrit do të duhej t'i takonte kësaj partie politike.

Përderisa të njëjtin pretendim ka shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas një mbledhjeje që zgjati rreth dy orë, kryesia e LDK-së ka dalë me pozicionin se qeveria e ardhshme do të duhej të drejtohej nga kjo parti politike.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që posti i kryetarit të Kuvendit i takon PDK-së, marrëveshja e 10 qershorit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka ndryshuar dhe se tani po punohet që posti i kryeministrit t'i ndahet LDK-së.

"Posti i kryeministrit, po bisedohet intensivisht që t'i takon LDK-së. Me marrëveshjen e 10 qershorit ne jemi marrë vesh që ky posti t'i takojë Ramush Haradinajt, por marrëveshja nuk është implementuar si e tillë. Kemi thënë në fillim dhe e kemi konfirmuar se marrëveshja ose zbatohet në tërësi ose e duhet të jetë pazbatueshme”, ka deklaruar Haziri.

Qëndrimin përfundimtar rreth plasaritjeve që ka shkaktuar posti i kryeministrit, sidomos në raportet mes LDK-së dhe AAK-së, sipas Lutfi Hazirit do të merret nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së të mërkurën.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte paralajmëruar LDK-në se nëse ka devijime nga marrëveshja e 10 qershorit, sipas të cilës posti i kryeministrit i ndahej liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, atëherë përgjegjësinë për prishjen e marrëveshjes do ta merrte LDK-ja.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se kjo parti politike i mbetet besnike marrëveshjes së parë, sipas të cilës kryeministri i ndahej AAK-së.

"Marrëveshja e 10 qershorit nuk mund të jetë peng i veprimeve të njëanshme të cilitdo subjekt që është pjesë e koalicionit. Për më shumë, në atë rast, përgjegjësia e tërë, për dështimin eventual të Marrëveshjes së 10 qershorit, bie mbi atë subjekt politik dhe mbi udhëheqësinë e tij", ka thënë Isufi.

Partitë e koalicionit pas-zgjedhor, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje po paralajmërojnë që vendimi final rreth çështjes së kryeministrit, që mbetet edhe esencial për vazhdimin e koalicionit, do të merret të mërkurën.

Përderisa po vazhdojnë diskutimet e brendshme, përfaqësuesit e partive të këtij koalicioni kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në negociata me Partine Demokratike të Kosovës.

Negociatat me PDK-në për koalicion të ri, parashihet se eventualisht mund të ndodhin nëse blloku i këtyre katër partive politike shpërndahet përfundimisht.

Negociatat për koalicionin e ardhshëm qeverisës po zhvillohen në ditët kur po pritet të thirret edhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të këtij institucioni.

Procedura e zgjedhjes së kryetarit po zgjat që nga 17 korriku, prej kur Kosova është futur në një krizë politike, e cila sipas analizave të ndryshme, po rrezikon të shndërrohet në një krizë financiare e buxhetore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG