Ndërlidhjet

Kurti: Thaçi s’ka numra, kërkon qeveri gjithëpërfshirëse


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kundërshtuar çdo tendencë të ndërhyrjes nga ndërkombëtaret, në mënyrë që të zgjidhet kriza institucionale në Kosovë.

Duke folur sot në mbledhjen e 17-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti theksoi se nëse duhet të ketë ndërhyrje jashtë institucioneve, ajo duhet të bëhet nga qytetarët.

Thaçit i intereson se kjo ndërhyrje të jetë prej ndërkombëtareve, prej ambasadorëve, prej të huajve për kompromis. Ai nuk po thotë më se i ka numrat, por po kërkon qeveri gjithëpërfshirëse. Neve na intereson që ndërhyrjen jashtë parlamentare ta bëjnë qytetarët”, tha Kurti.

Ai ka deklaruar po ashtu se shumica parlamentare vazhdon të jetë e vendosur në kundërshtimin e çfarëdo bashkëpunimi me drejtuesit e qeverisë aktuale.

Poashtu, Kurti theksoi se edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, duket i vendosur për të mos e lëshuar qeverisjen.

Derisa e ka kritikuar Hashim Thaçin, lideri i VV's ka shtuar se ai ka keqpërdorë çdo institucion shtetëror.

Albin Kurti më tutje ka deklaruar se si pjesë e koalicionit pas zgjedhor, me propozimet e tyre janë duke u munduar ta bindin koalicionin LAN, që ta konstituoj kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetuese.

“Tash për tash krerët e shumicës parlamentare nuk besojnë se duhet bërë një zgjidhje siç propozojmë ne. Nëse ata vazhdojnë të hezitojnë, ka gjasë që të fitojë mbështetje interesi i Thaçit, pra që situata të zgjidhet me ndërhyrje prej ndërkombëtarëve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, pas dështimit në dy seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës dhe si pasojë e barrikadimit të partive politike në dy blloqe, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka bërë thirrje për realizimin e takimeve të përbashkëta të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend.

Analisti politik Ismail Hasani, konsideron se zgjedhja e krizës institucionale nuk është e mundur pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Zgjidhje e ngërçit politik nuk është e mundur të bëhet pa ndërhyrjen e do të thosha kushtimisht ndërhyrjen instruktuese të faktorit ndërkombëtar, për faktin se palët janë barrikaduar dhe ajo që po paraqitet kohëve të fundit nga liderët e bllokut jep të kuptosh se nuk ka mundësi të krijohet një qëndrueshmëri e pa lëkundur e bllokut, sidomos me deklaratën se nyjën e ngërçit mund ta zgjidh rruga”, tha Hasani.

Analisti Hasani thotë se Kosovës i duhet krijimi urgjent i institucioneve të reja pasi që sipas tij, Kosova si shtet i ri ka shumë punë për të bërë.

Kurse, në deklaratat e fundit nga Zyra e Presidentes është tërhequr vërejtja se kriza po e lëkund qëndrueshmërinë e shtetit.

Partive politike i’u është bërë me dije se nëse nuk arrijnë që me marrëveshje politike të tejkalojnë krizën, do të pason edhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve si opsioni i fundit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG