Ndërlidhjet

LAN-i drejt rishikimit të marrëveshjes


Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar nisjen e konsultimeve përbrenda partisë së tij dhe koalicionit pas zgjedhor në lidhje me tejkalimin e krizës politike rreth formimit të institucioneve të reja.

Çështje kryesore e konsultimeve, pritet të jetë marrëveshja që ai kishte lidhur më 10 qershor me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atë të partisë Nisma, Fatmir Limaj.

Sipas kësaj marrëveshje, LDK merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse AAK atë të kryeministrit.

Mirëpo, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, posti i kryetarit të Kuvendit ishte interpretuar se mund t'i takojë vetëm Partisë Demokratike të Kosovës si fituese e zgjedhjeve. Kështu që Mustafa tani me gjasë po kërkon mendimin e partisë për rishikimin e marrëveshjes.

"Në ditët në vijim do të mbajmë konsultat me degët dhe organet e LDK-së si dhe me partnerët tanë të koalicionit në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e pranueshme për shumicën dhe për Kosovën", ka shkruar Mustafa në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

"Vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, vendi ka nevojë të ketë zgjidhje. Prandaj, të gjithë ne duhet të reflektojmë karshi gjendjes së krijuar", ka vijuar ai.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se realiteti që ka krijuar Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, po e imponon që partnerët e koalicionit të ulën për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Beqiri thotë se diskutimet e reja që do t'i bëj blloku pas zgjedhor do të kenë si synim ruajtjen e koalicionit të krijuar dhe gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e bllokadës për formimin e institucioneve.

"Për ne ëshët shumë e rëndësishme që ta ruajmë koalicionin pas zgjedhor. ta ruajmë marrëveshjen mes nesh dhe sigurisht që ne do të ulemi dhe të shohim se çka më tutje. Janë liderët tanë,të subjekteve politike, që vendosin se çfarë do të bëjmë më tej, se cilat janë hapat që duhet t'i ndërmarrim në mënyrë që ne të realizojmë synimin tonë", ka deklaruar Beqiri.

Rishikimi eventual i marrëveshjes, mund të prek sidomos ndarjen e posteve ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj,i kandiduari i bllokut për postin e kryeministrit.

Por, për këtë çështje, Ismet Beqiri thotë se tash për tash një gjë e tillë nuk mund të paragjykohet, pasi që bëhet fjalë për bisedime që do të iniciohen.

"Pa dyshim që nuk e them se kemi heq dorë, ka qenë që ta zgjedhim edhe kryetarin e Kuvendit, por mbi të gjitha ta ndërrojmë këtë qeverisje të keqe, të bëjmë ndryshime dhe ta formojmë qeverinë për çka i kemi edhe numrat edhe vullnetin. Besoj që për këtë synim do të gjejmë rrugëzgjidhje", ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Avni Arifi, këshilltar i parë i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk mund t'i komentoj nismat politike të liderit të LDK-së.

Por,në çdo rast, Arifi nuk e sheh të nevojshme rishikimin e marrëveshjes së 10 qershorit.

"Ekziston një gatishmëri dhe insistim i të gjithë liderëve të bllokut që të realizohet marrëveshja e nënshkruar më 10 qershor e pasuruar edhe me bashkimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë marrëveshje. Ne nuk kem asnjë indikacion që kjo marrëveshje të anulohet dhen uk shohim asnjë shenjë apo indikacion që ndonjëri prej partnerëve të tërhiqet nga kjo marrëveshje", ka deklaruar Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Arifit, kohët e fundit PDK dhe mjetet e saj të informimit janë ato që kanë ndërmarrë një fushatë të egër në përpjekje të qarjes së bllokut të partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Ndaj këtyre akuzave, në PDK nuk kishte interesim që të reagojnë.

Përderisa ekziston një marrëveshje, ka vijuar Avni Arifi, partitë e bllokut nuk janë duke kërkuar një tjetër e cila do të zëvendësonte atë.

"Ne këtë marrëveshje e kemi bërë për implementim dhe punojmë për zbatimin e saj. në momentin që kërkohet një tjetër atëherë kjo nuk do të ekzistonte më. Prandaj ne nuk jemi në kërkim e siëpr të çfarëdo marrëveshje tjetër, ngase e kemi një marrëveshje dhe punojmë për zbatimin e saj deri në fund", është shprehur Arifi.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, po vonon që nga 17 korriku, kur ishte thirrur seanca konstituive e cila nuk ka përfunduar ende. pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të filloj faza e formimit të qeverisë së re.

Këto vonesa, po e çojnë Kosovën drejt krizës jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore ka paralajmëruar presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo kishte paralajmëruar partitë politike se mund të përballen me zgjedhje të reja nëse kriza vazhdon.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu kishte deklaruar se zgjedhjet do të vijnë në shprehje, nëse liderët e partive politike nuk arrijnë zgjidhje për formimin e institucioneve.

Tani subjektet e përfaqësuara në Kuvend janë para marrjes së vendimeve duke mos e përjashtuar as opsionin e tërheqjes së tyre nga pozicionet fillestare.

Në të kundërtën, ato mund të ndodhen edhe para opsionit të fundit, atij të zgjedhjeve të reja të parakohshme, të cilin e kishte paralajmëruar vet presidentja Jahjaga.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG