Ngërçi politik, që po e pengon formimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës, ka irrituar në masë të madhe qytetarët. Ata thonë se nga mosmarrëveshjet e politikanëve po pësojnë më së shumti vetë qytetarët, si dhe shteti në përgjithësi.
Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë konsiderojnë se Kosova, nga kjo situatë e krijuar vendi ka ngecur në shumë aspekte.
Hamdi Rrahmani nga komuna e Podujevës, i cili me profesion është mekanik, thotë se është i lodhur, si nga politika, ashtu edhe nga mosmarrëveshjet e politikanëve.
“Fort na ka lodhur politika. Këta e dinë edhe vetë këtë, vetëm po luajnë me këtë popull, se sa mund të durojë populli... Por, dikur nuk mundet. Populli është mirë t'i marrë këta politikanë e t'i dërgojë në një vend të ftohtë, e atëherë këta marrin mend. Këta janë ngopur, kanë bërë vila jashtë shtetit, kanë bërë pasuri, sa të zgjasë kjo situatë fitim është për politikanët”, shprehet Hamdiu.
Kurse, Besim Cakolli, student nga Prishtina, konsideron se Kosova, si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme politike, është duke humbur edhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Ngërçi politik po ndikon edhe në shumë gjëra të tjera. Për shembull nëse nisemi nga spitalet, nuk po mund të ndahet buxheti për pacientet, të cilët janë në spital. Tash deri sa të zgjidhet ngërçi politik, pacientët nuk mund të presin atje dhe ky është problem. Nuk është vetëm spitali, po janë edhe shumë gjëra të tjera, edhe në ekonomi, edhe në zhvillim, edhe në gjithçka”, thotë Besimi.
Ndryshe nga të tjerët, juristja Jehona Bashota, thotë se kjo situatë e krijuar politike nuk është duke i bërë shumë përshtypje:
“Zakonisht kjo situatë është monotone, po edhe nuk më ka lënë shumë përshtypje, thënë të drejtën, se angazhimet e kanë bërë të veten”.
Kurse, Idriz Ejupi, pensionist, thekson se politikanët nuk janë duke menduar fare për qytetarin:
“Në atë pikëpamje populli po heq, po vuan, këta luftojnë për karrige, populli është duke vuajtur. Ne jemi pensionistë, askush nuk mendon për ne, ky është mjerim, populli ynë është i urtë, i butë se duhet të zgjohemi dhe t'iu bëjmë presion atyre që më pas ata të mendojnë për ne dhe të punojnë për ne”.
Edhe Hamdi Pacolli, i cili punon si taksist në kryeqytet, shprehet i lodhur nga kjo situatë politike që e ka kapluar Kosovën:
“Jemi lodhur nga e gjithë kjo situatë që është në Kosovë, gjithë këta të rinj pa punë, enden kot, nuk ka punësim. Sikur të vinte një qeveri që do t'i punësonte këta të rinj... Kam pak besim te të gjithë liderët e partive politike”.
Edhe Feriz Shillova konsideron se moszgjidhja e udhëheqjes së re dhe formimi i institucioneve , nuk është duke dhënë mesazhe të mira në rrafshin ndërkombëtar për Kosovën.
“Si nuk po na pengon? Si të dalim përsëri në zgjedhje kur tashmë jemi penduar për ata që i kemi zgjedhur?! Por, nëse duhet ndoshta, ndoshta, do të dalim prapë në zgjedhje”, thotë Feriz Shillova.
Por, ka edhe nga ata qytetarë që mendojnë se duhet shkuar në zgjedhje, si zgjidhja më e mirë për të dalë nga ky ngërç. Një mendim të tillë e jep edhe Vjollca Lohaj pedagoge.
“Po na pengon kjo situatë, ndryshimet janë shumë të nevojshme. Personalisht, mendoj se duhet të shkohet në zgjedhje”, thekson Vjollca Lohaj.
Ekrem Morina, pensionist, shprehet tejet i mllefosur për gjendjen, në të cilën gjendet Kosova:
“Duhet të gjithë t’i largojmë këta që kanë qenë në pushtet, asnjëra parti; as Partinë Demokratike të Kosovës, as Lidhjen Demokratike të Kosovës. Duhet të zgjidhen parti të reja”, shprehet i bindur Ekrem Morina.
Edhe Djellza Bunjaku, e cila punon në një nga institucionet publike thotë se shumë nga institucionet e vendit nga kjo gjendje e krijuar, nuk po funksionojnë ashtu siç duhet.
“Jemi lodhur qe shumë muaj. S’ka institucione që funksionojnë normalisht. Më herët e ke pasur fajtorin për një gjë, tash nuk e ke. Po shkojnë në punë, po punojnë, rrogat po dalin... u kënaqëm”, shprehet ajo.