Ndërlidhjet

Investimet nuk duhet të mbesin peng i krijimit të qeverisë së re


Ilustrim
Ilustrim

Vonesa e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit, nuk duhet të paraqesë problem për investitorët ndërkombëtarë që të vijnë në Kosovë dhe ta investojnë kapitalin e tyre, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, jo domosdoshmërish investimet e huaja duhet të lidhen më stabilitetin e institucioneve, zgjedhjen e qeverisë apo parlamentit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjendja aktuale politike në Kosovë nuk është problem aq i madh për tërheqjen e investime ndërkombëtare, sa është problematik ambient i pafavorshëm afarist.

“Rrezik për investitorëve paraqesin rastet kur vendi kalon në kriza të thella politike apo kur është rreziku që qeveria e re të ndryshojë komplet sistemin e qeverisjes. Por, këto kriza siç është shtyrja e themelimit të qeverisë apo kuvendit nuk duhet të paraqesin shqetësim për investitorët ndërkombëtarë për shkak se raste të tilla ndodhin edhe në vende të tjera, madje në periudha më afatgjate”, thekson Demi.

Në Kosovë, gjatë viteve të fundit investimet e huaja kanë qenë të ndërlidhura më procesin e privatizimit të ndërmarrjeve e shoqërore dhe publike, dhe në raste të tilla, siç shprehet Demi, nëse një ndërmarrje publike është duke u privatizuar dhe priten investime ndërkombëtare, ndërkohë që nuk ka qeveri, atëherë kjo gjithsesi do të ishte problematike për investitorët.

Sidoqoftë, problemi më i madh për investitorët, sipas Demit është ambienti i pafavorshëm biznesor në Kosovë.

“Kosova nuk e ka një ambient të mirë të të bërit biznes, në jemi një vend të vogël, forca punëtore nuk është e lirë në krahasim më vendet e rajonit , ne kemi një fuqi punëtore më të shtrenjtë se vendet e rajonit, kemi treg shumë më të vogël, mundësia për të eksportuar prej Kosovës është shumë e vështirë. Këto janë probleme që nuk janë tejkaluar edhe kur ka pasur qeveri dhe nuk pritet të tejkalohen edhe për shumë vite”, vlerëson Demi.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrorë të Kosovës, ku flitet për investimet e huaja thuhet se gjatë vitit 2013, këto investime ishin 258.9 milionë euro.

Si pasojë e krizës globale financiare, investimet e huaja në raport me produktin e brendshëm bruto kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga viti 2008.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se shumë shtete në rajon, kanë pako dhe strategji agresive për të tërhequr investitorë të huaj, derisa Kosovës i mungon një qasje e tillë.

Sipas tij, pa sundim të rendit dhe ligjit Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe as tërheqje të investitorëve ndërkombëtarë.

“Nëse imazhi i Kosovës është mjaft i dëmtuar, në qoftë se gjithkund në Kosovë dhe për Kosovën flitet për mos sundim të rendit dhe ligjit, për mungesën e një pakoja për investitorët e huaj dhe tani edhe ngritja e çmimeve, atëherë lind pyetja kush do të jetë ai investitor nga jashtë, i cili do t’ia mësyjë Kosovës dhe do të investojë”, tha Gërxhaliu.

Rritja e investimeve të huaja direkte paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm edhe në kuptim të qëndrueshmërisë së financimit të deficitit të llogarisë rrjedhëse.

Në vitin 2013, struktura e Investimeve të huaja direkte ishin kryesisht e koncentruar në sektorin e patundshmërisë, ndërtimtarisë, transportit dhe telekomunikacionit si dhe sektorin e shërbimeve financiare.

Shteti i cili ka realizuar pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë mbetet Turqia me 86.8 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG