Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik, në dorë të sektorit privat


Ilustrim
Ilustrim

Deklaratat e shumta, të dhëna nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, për vënien në prioritet të ekonomisë dhe fuqizimit të sektorit privat, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, kanë mbetur vetëm si të tilla.

Sektori privat në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha në një ambient të pafavorshëm biznesor.

Sundimi i ligjit, eliminimi i evazionit fiskal, thonë ata, janë ndër mënyrat e vetme për ta bërë Kosovën një ambient atraktiv për të bërë biznes.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori privat në Kosovë duhet të konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, porse ky sektor duhet të fuqizohet.

“Ne jemi në një situatë kur po flasim shumë për ekonominë, mirëpo duhet të kemi ide më të qarta sidomos nëse e kemi konstatuar që ne jemi të orientuar për një ekonomi të tregut, ku në një ekonomi të tregut është i pamendueshëm zhvillimi pa sektorin privat të fuqishëm. Ne mbi këtë bazë duhet t’i orientojmë edhe politikat ekonomike”, thotë Rukiqi.

Autoritetet kompetente në Kosovë, sipas Rukiqit, duhet të krijojnë kushte dhe mekanizma që të përmirësohet sektori privat, rrjedhimisht të rritet zhvillimi ekonomik dhe shkalla e punësimit në vend.

Fuqizimi i sektorit privat në Kosovë, shton Rukiqi, do të mundësonte dyfishim të rritjes ekonomike, si dhe zbutje të shkallës së papunësisë.

“Unë mendoj që do të kishim dyfishim të rritjes ekonomike me një potencial të ri të sektorit privat. Kjo do të thotë që ne mund të aspironim edhe shifra 6 deri në 7 për qind të rritjes ekonomike, në rast se kemi dyfishim të aktivitetit privat”, vlerëson Rukiqi.

Kosova gjatë viteve të fundit nuk kishte shënuar rritje ekonomike më të lartë se 4 për qind, e cila si e tillë nuk kishte arritur ta zbusë papunësinë, e cila, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është mbi 30 për qind.

Hartimi i një strategjie për zhvillim ekonomik, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, do të ndikonte në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm biznesor që mundëson hapësirë për hapjen e ndërmarrjeve të reja, kurse fuqizon ato ekzistueset.

Sektori privat mbetet një nga mundësitë më të mëdha për të zhvilluar ekonominë e Kosovës, por mbetet edhe njëri nga sektorët më të penguar nga shumë institucione shtetërore, duke filluar nga qeveritë lokale dhe shtetërore, të cilat me politikat e veta, nuk e lejojnë këtë sektor të zhvillohet përballë konkurrencës, e cila është e padrejtë dhe e ashpër nga jashtë”, vlerëson ai.

Shahini konsideron se nëse sektori privat do të kishte një mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore, gjendja ekonomike dhe sociale e vendit do të ishte më e mirë se që është aktualisht, ndërsa vendi do të ishte më i zhvilluar.

“Pa mbështetjen e institucioneve shtetërore, si qendrore, ashtu edhe lokale, pa reformim të politikave fiskale, sektori privat nuk mund të fuqizohet, po ashtu pa mbrojtje dhe subenvencione ky sektor nuk mund të jetë i zhvilluar dhe nuk mund ta përballojë konkurrencën nga jashtë”, thekson Shahini.

Ndryshe, në Kosovë më shumë se 90 për qind e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërkaq mbi 50 për qind e të gjitha këtyre ndërmarrjeve, operojnë në sektorin tregtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG