Ndërlidhjet

Ngërçi politik në dëm të ekonomisë


Mos konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë së re të Kosovës, do të ketë efekte negative në proceset ekonomike në vend, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Rritja ekonomike e parashikuar nga Qeveria e Kosovës sipas tyre, nuk do të mund të arrihet dhe se do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se ngërçi politik i krijuar ka efekte shumë dimenzionale dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës do të shënojë ngecje gjatë këtij viti.

“Ngërçi politik me të cilin po ballafaqohet Kosova ka efektet e veta negative në të gjitha proceset në shoqëri në përgjithësi por edhe ekonomisë ne veçanti. Me institucionet të pa qëndruara Kosova ballafaqohet vitin e fundit, njëherë kishim një qeveri që kishte një mungesë të shumicës në parlament, tani kemi një ngërç total të të gjitha institucioneve tjera dhe të gjitha këto do të ndikojnë në performancën makro dhe mikro ekonomike në Kosovë”, thotë Gashi.

Gashi kujton se Kosova aktualisht ka një qeveri e cila nuk e ka legjitimitetin e mjaftueshëm për të vendosur për projekte dhe investime qofshin ato të vogla apo të mëdha.

Kontraktimi i punëve nga ana e institucioneve qendrore, siç thekson Gashi mund të kontestohen nga qeveria e ardhshme dhe aty do të krijohen paqartësi të mëdha dhe efektet do të jenë shume negative në aspektin zhvillimor të Kosovës.

“Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik duke marrë parasysh se shumica e projekteve të mëdha kanë një vakum, janë në pritje përderisa të krijohen institucionet e reja dhe të vazhdohet me punë. Ne nuk kemi vetëm mungesë të ekzekutiv të qeverisë dhe bllokadë të kuvendit, ne e kemi një bllokadë totale të të gjitha institucioneve shtetërore, të agjencive, shumica prej tyre kanë mungesë të plotësimit të bordeve mungojnë drejtorët e bordeve dhe anëtarët. Kemi një bllokadë totale të të gjithë sektorëve ekonomik të shtetit”, thekson Gashi.

Nën anën tjetër, edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thekson se vonesa e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit po krijojnë një situatë që po reflekton negativisht në proceset ekonomike.

“Kur them këtë e kam parasysh, të zëmë fillimi i autostradës Prishtinë – Hani i Elezit u zvarrit për shkak të mungesës së ministrive me kompetenca të plota, është shtyre koncesionimi i kompleksit turistik Brezovica, është shtyrë afati për dorëzimin e ofertave për Termocentralin Kosova e re dhe po ashtu është shtyre procesi për ri-organizimin e Trepçës”, tregon Rexhepi.

Ngecja e këtyre projekteve, shton Rexhepi, janë vetëm disa elemente që tregojnë se kjo situatë do të reflektojë jo vetëm për normën e zhvillimit ekonomik të këtij viti, por në përgjithësi edhe për disa projekte ku mbështet ardhmëria ekonomike e Kosovës.

Kosova thonë ekspertët gjatë këtij viti do të këtë rritej ekonomike, por jo rritjen e pritshme. Nëse vitin e kaluar Kosova ka pasur rritje ekonomike afër 4 për qind, në këtë vit rritja ekonomike nuk mund të jetë më shumë se 2,5 për qind.

Kosova kishte përmbyllur vitin 2013 me një rritje ekonomike jo më shumë se 3 për qind. Derisa Qeveria e Kosovës kishte parashikuar që rritja ekonomike në vitin 2014 të jetë rreth 5 për qind.

Përveç tjerash ekspertët thonë se situata politike e krijuar në Kosovë ka dekurajuar edhe investitorët ndërkombëtarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG