Ndërlidhjet

Liderët - konsulta me presidenten, por pa zgjidhje


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar sërish të mërkurën takime me liderët e partive që përfaqësohen në Kuvend, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje rreth formimit të institucioneve të reja.

Takimet ishin të ndara fillimisht me Partinë Demokratike të Kosovës e më pas me katër liderët e koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Nga prononcimet e përfaqësuesve të partive politike, u la të kuptohet se nuk është arritur sërish ndonjë zgjidhje para seancës së nesërme, ku për të tretën herë Kuvendi do të provojë të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Partia Demokratike e Kosovës, e kryesuar nga lideri i saj Hashim Thaçi ishte e para që u prit në këto takime.

Pas konsultave me presidenten, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur fare shkurt, duke thënë se PDK ofron zgjidhje kushtetuese dhe i ka ftuar edhe partitë tjera që të fokusohen në zgjidhje të tilla.

"Ekziston vullneti i mirë për zgjidhje. Natyrisht që zgjidhja do të gjendet brenda Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, vullneti i qytetarëve i shprehur me 8 qershor, tregon se kë e duan qytetarët për të qeverisur me vendin”, ka thënë Kadri Veseli.

Ndërkohë, edhe liderët e partive të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk kanë dhënë asnjë mesazh se mund të lëvizin nga pozicioni fillestar.

Përderisa PDK thirret në rezultatin e zgjedhjeve dhe në aktgjykimin e Kushtetueses, liderët e koalicionit pas zgjedhor thirren në shumicën parlamentare që kanë krijuar si bllok i përbashkët.

Mirëpo, ata nuk kanë mund të paragjykojnë suksesin apo dështimin e sërishëm të seancës.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se gjithçka varet nga deputetët, andaj edhe ka kërkuar që zgjidhja të kërkohet në Kuvend gjatë një debati parlamentar.

“Ne besojmë që kjo gjendje mund të përballohet dhe mund të zgjidhet vetëm në Kuvend, sepse kemi të bëjmë me një sistem parlamentar ku shumica vendos, dhe ne do ta respektojmë votën e shumicës. E lutëm edhe Presidenten që të bëhet pjesë e kësaj zgjidhje në mënyrë që të respektohen kriteret themelore që është shumica e deputetëve në Kuvend”, është shprehur Mustafa.

Pjesë e konsultimeve me presidenten këto ditë ishin edhe partitë e komuniteteve pakicë. Përfaqësuesit e tyre kanë deklaruar se do të mbështesin cilindo bllok që arrin të krijoj zgjidhjen për dalje nga kriza.

Kryesuesja e seancës konstituive, deputetja më e vjetër, Flora Brovina, ka kërkuar nga Sekretaria e Kuvendit që të shtyjë vazhdimin e seancës konstituive të thirrur për të enjten më 2 tetor.

Në arsyetimin e saj, deputetja më e vjetër e legjislaturës së pestë Flora Brovina ka potencuar faktin që dy blloqet më të mëdha politike, PDK në njërën anë dhe koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, në anën tjetër, nuk kanë arritur marrëveshje për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Me qëllim të krijimit të hapsirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës poltike dhe institucionale, konsideroj të nevojshme dhe domosdoshme shtyerjen e vazhdimit të seancës konstituive, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses”, ka shkruar në arsyetimin e saj, Brovina.

Pas këtij njoftimi, partitë e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje kanë reaguar duke kërkuar që seanca të vazhdoj ditën e enjte në ora 10, siç ishte caktuar më herët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG