Seanca konstituive e 2 tetorit rrezikon të jetë një reprizë e asaj të 18 shtatorit, nëse dy blloqet nuk lëvizin nga pozicionet fillestare rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës ka rikonfirmuar se do të propozoj sërish Arsim Bajramin për postin e kryetarit të Kuvendit, pavarësisht që më 18 shtator nuk fitoi shumicën.
Por, insistimin e saj, PDK e mbështet tek rezultati i zgjedhjeve dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë grupit më të madh parlamentar që të propozoj kandidatin për këtë post.
Njëri nga nënkryetarët e PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se ky post i takon PDK-së dhe ka ftuar partitë tjera ta mbështesin kandidaturën e këtij subjekti politik. në të kundërtën, ai ka parashikuar se vendi mund të shkoj drejt zgjedhjeve.
PDK, nga vjen edhe kryesuesja e seancës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, është deklaruar se nuk do të ketë debat më 2 tetor, por vetëm procedurë propozimi dhe votimi për postin e kryetarit.
Në anën tjetër blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka një skenar tjetër për seancën e 2 tetorit. Ky bllok insiston që pas dështimit eventual të PDK-së që të zgjedh kryetarin e Kuvendit, kryesuesja e seancës, Flora Brovina të lejon debat parlamentar dhe të mos e mbyll seancën, siç veproi më 18 shtator.
Pas një takimi që partitë e koalicionit pas-zgjedhor zhvilluan të martën, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të ishte abuzuese nëse kryesuesja nuk lejon debatin në seancën e radhës.
Ai i ka mohuar opsionet e përfolura qoftë për një zgjidhje të imponuar përmes zarfit apo edhe opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, duke insistuar se shumica parlamentare e ka zgjidhjen.
"Nga debati do të dilte zgjidhja. Jemi të sigurt që do të dilte zgjidhja, ne e kemi zgjidhjen. Plan në Kosovë ka vetëm shumica parlamentare dhe askush tjetër. As nuk ka zarfa, as nuk ka plane e as nuk ka ide tjera, por ka shumicë parlamentare të zgjedhur nga qytetarët e vendit", ka deklaruar Haradinaj.
Duke u nisur nga pozicionet e dy blloqeve, analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është pak e pritshme që më 2 tetor të tejkalohet kriza e fillimit të ndërtimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e parasheh që vetëm grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast është PDK-ja, të paraqes kandidatë për postin e kryetarit.
"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i tillë, pavarësisht që personalisht nuk pajtohem me të pasi që baza që është ofruar me vendim nuk është e kënaqshme, po gjykata e ka dhënë atë vendim dhe si të tillë duhet respektuar. Ky vendim nuk lejon që askush tjetër përveç PDK-sëë të propozoj. Por, duhet të kihet parasysh që nuk do të thotë që e drejta për të propozuar do të thotë që edhe kandidati të jetë nga radhët e PDK-së, pasi që mund të jetë një kandidat i bllokut tjetër i propozuar nga PDK-ja", ka thënë Krasniqi.
Sa i përket kërkesës për debat parlamentar në seancën konstituive të 2 tetorit, Albert Krasniqi mendon se edhe kjo është një mundësi që të diskutohet dhe eventualisht të gjendet një zgjidhje.
Mirëpo, Krasniqi e sheh të pamundshme që blloku i partive të koalicionit pas zgjedhor në fund të debatit të propozoj vet kandidaturën për kryetar të Kuvendit, nëse këtë nuk e bën në marrëveshje me PDK-në.
"Deputetët nuk mund të bëjnë zgjidhje jashtë ndërtesës së Kuvendit, nuk mund të bëjnë marrëveshje liderët politik, ngase duhet të jenë deputetët ata që duhet të bëjnë marrëveshje dhe jo liderët dhe subjektet politike. Andaj, në seancën e radhës duhet të lejohet që deputetët të prezantojnë alternativat e tyre se si mund të zgjidhet kryetari i Kuvendit", ka deklaruar Krasniqi.
Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur që nga 17 korriku.
Pika që nuk po mund të përmbyllet që atëherë është ajo e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pa tejkalimin e kësaj pike, nuk do të mund të procedohet tutje me formimin e qeverisë së re, pasi që Kuvendi pa kryetar konsiderohet si jo i konstituuar.