Ndërlidhjet

Jahjaga konsultime me liderët për tejkalimin e krizës


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ftuar të hënën në takime të ndara partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të diskutuar tejkalimin e ngërçit politik në vend.

Takimet u zhvilluan pasi që Jahjaga ishte kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në prag të vazhdimit të seancës konstituive më 2 tetor, ku pika e vetme mbetet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Fillimisht presidentja ka pritur delegacionin nga Partia Demokratike të Kosovës, që kryesohej nga lideri i saj Hashim Thaçi.

Pas takimit, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se kjo parti politike do të jetë konstruktive në angazhimet për gjetjen e një zgjidhje politike.

Por, ai ka përsëritur se zgjidhja duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të respektoj vullnetin e votuesve të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit.

"Besoj që të gjitha palët do të respektojnë rezultatet e 8 qershorit, do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhja do të jetë me legjitimitet demokratik dhe legalitet institucional", ka deklaruar Kuçi.

Në prag të vazhdimit të seancës konstituive më 2 tetor, kryesia e PDK-së ka propozuar sërish Arsim Bajramin për kryetar të Kuvendit.

Në seancën e fundit më 18 shtator, PDK dhe kandidati i saj morën vetëm 44 nga 61 sa është minimumi i votave për t'u zgjedhur kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi nuk ka dhënë ndonjë mesazh se kjo parti politike do të lëviz nga pozicioni i saj i mëhershëm në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit.

"Nuk është logjika a të lëviz apo jo PDK-ja. Më 8 qershor votuesit e kanë përcaktuar se cila është partia fituese në këtë vend dhe më pas Gjykata Kushtetuese se kush ka të drejtë t'i ndërtojë institucionet", është shprehur Kuçi.

Për dallim nga seria e parë e takimeve me partitë politike, kësaj radhe, presidentja ftoi veç e veç në takime partitë e koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Një takim të tillë të ndarë, Jahjaga zhvilloi edhe me delegacionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj, Isa Mustafa.

Ky i fundit tha se blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje mund të propozojnë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit më 2 tetor, pasi që PDK të ketë dështuar në mungesë të votave.

“Ne shprehëm mendimin dhe qëndrimin tonë që zgjidhja duhet të gjendet në Kuvend me vullnetin e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe këtë zgjidhje ne e kemi ofruar. Kjo zgjidhje duhet të gjendet në Kuvend ku duhet t’u mundësohet deputetëve ta bëjnë zgjedhjen e tyre”, ka thënë Mustafa.

Lideri i LDK-së e ka përjashtuar mundësinë e gjetjes së kompromisit përmes figurave konsensuale politike, duke thënë se udhëheqësit e institucioneve duhet të jenë të zgjedhur me votat e qytetarëve.

Presidentja Jahjaga ka pritur edhe liderët e partive tjera parlamentare, përfshi edhe ato të komuniteteve pakicë.

Përfaqësuesit e pakicave kanë deklaruar se nëse vota e tyre do të jetë përcaktuese, ata do ta votojnë kandidatin e PDK-së në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale politike.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu ka thënë se takimet kanë për qëllim lehtësimin në gjetjen e zgjidhjes në përputhje me kuadrin kushtetues të vendit.

Mirëpo, ai i ka rikujtuar deputetët se ata duhet të gjejnë zgjidhjen politike e cila do të duhet të jetë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, besohet se presidentja mund t'i takojë edhe njëherë liderët partiak para seancës së 2 tetorit.

Gjetja e zgjidhjes për kryetarin e Kuvendit do t'i hapte më pas rrugë formimit të qeverisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG