Ndërlidhjet

Sanksionet shtrëngojnë rëndë Rusinë


Moskë
Moskë

Rusia ka treguar një fytyrë të guximshme kur ka thënë se sanksionet e Perëndimit kanë pak ndikim në të. Por, megjithatë, ka gjithnjë e më shumë shenja se sanksionet janë duke shkaktuar probleme serioze për buxhetin e shtetit.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropuan, të destinuara për të detyruar Moskën që të ndalojë ndërhyrjen e saj në Ukrainë, janë forcuar më 12 shtator. Ato tashmë ndalojnë kompanitë shtetërore ruse që të marrin kapital nga tregjet financiare perëndimore, si dhe kufizojnë qasjen e firmave energjetike ruse në teknologjinë e Perëndimit.

Një shenjë e ndikimit të sanksioneve të forta ka qenë dobësimi i rublës, e cila ka shënuar rënie rekord kundrejt dollarit amerikan më 15 shtator.

Një shenjë tjetër është edhe plani i Moskës për të ndërhyrë në fondin pensional të shtetit dhe për të krijuar një “rezervë anti-krizë”, me qëllim të furnizimit të bankave shtetërore dhe të kompanive të naftës, që janë hequr nga lista e huadhënësve perëndimorë.

Në mesin e kompanive shtetërore, të cilat tashmë kanë deklaruar se kanë nevojë për ndihmë, është gjiganti i naftës Rosneft.

E përditshmja britanike “The Telegraph” ka raportuar se kompania ka kërkuar nga qeveria kredi prej më shumë se 40 miliardë dollarësh për të plotësuar nevojat e investimeve.

Dhe, sistemi rus i pensioneve nuk është i vetmi institucion shtetëror që do të goditet, në kërkim të gjetjes së fondeve për të mbështetur firmat shtetërore.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Aleksei Ulyukayev, ka thënë më 12 shtator se qeveria do të ndihmojë kompanitë e goditura nga sanksionet “me të gjitha mjetet”. Ai ka thënë se masat mbështetëse mund të përfshijnë alokime direkte buxhetore , përdorimin e mjeteve nga fondi pensional ose përdorimin e mjeteve nga Fondi Kombëtar i Prosperitetit.

Ky i fundit është një sasi e të ardhurave të energjisë, që është menduar të shërbejë si fond i sigurisë, në rast të rënieve të rënda ekonomike.

Por, edhe pse Moska duket se është e gatshme për të kërkuar kudo para të tepërta, mundësia e saj për të mbështetur kompanitë e goditura nga sanksionet mund të jetë e kufizuar.

“Shumë varet nga ajo që ndodh me çmimin e naftës. Buxheti dhe akumulimi i tepricave varet shumë nga çmimi i naftës në botë dhe për momentin është shumë i ulët për Rusinë”, thotë Ian Bond, drejtor i politikave të jashtme në Qendrën për Reforma Evropiane në Londër.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka thënë më 18 shtator se parashikon rritje negative për ekonominë e Rusisë në vitin 2015. Sipas saj, ekonomia ruse mund të tkurret për 0.2 për qind vitin e ardhshëm, për shkak të ndikimit të sanksioneve perëndimore, por edhe të sanksioneve që Moska i ka vënë Perëndimit në shenjë hakmarrjeje.

Pak zëra të shquar në Rusi guxojnë të paralajmërojnë rusët për përkeqësimin e situatës ekonomike. Por, njëri nga ta është ish-ministri i Financave, Aleksei Kudrin.

Ai ka thënë në një konferencë të biznesit në Moskë se qeveria nuk do të jetë në gjendje të mbështesë të gjitha kompanitë shtetërore të prekura nga sanksionet e Perëndimit, për shkak të shpenzimeve të mëdha sociale dhe ekonomisë së ngadalësuar.

Kremlini, megjithatë, vazhdimisht thotë se Rusia ka shumë mundësi për rritje ekonomike.

Zëvendëskryeministri Arkady Dvorkovich, në të njëjtën konferencë të biznesit, ka thënë se “kthimi kah Lindja sjell perspektivë të mirë, sidomos për Lindjen e Largët Ruse”.

Si shembull, zyrtarët përmendin marrëveshjen për furnizim me gaz, prej 400 miliardë dollarësh, të nënshkruar midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, në muajin maj. Marrëveshja lidh fushat e mëdha të gazit në Rusi për herë të parë me tregun aziatik, përmes një tubacioni të ri, të gjatë mijëra kilometra, që kalon nëpër Siberi.

Por, analistët thonë se do të duhen vite para se marrëveshja të fillojë të gjenerojë rrjedhje të qëndrueshme të të ardhurave për Rusinë.

“Marrëveshja fut Rusinë në zhvillimin e dy fushave të reja dhe në ndërtimin e tubacionit të ri, sepse atje nuk ka infrastrukturë për të marrë gazin dhe për ta dërguar në Kinë. Duhen investime të mëdha për ta bërë këtë dhe kjo nuk mund të ndodhë brenda natës”, thotë analist Bond.

Kjo edhe lë hapur çështjen se sa larg do të shkojë qeveria në kërkim të të ardhurave shtesë për të ndihmuar kompanitë e saj shtetërore.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG