Ndërlidhjet

Sanksione simbolike - shkëmbimet tregtare minimale


Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sanksioneve për Federatën ruse, në aspektin ekonomik është vetëm simbolik, pasi që shkëmbimet tregtare ndërmjet këtyre dy vendeve janë minimale, thonë analistë dhe përfaqësues të bizneseve.

Në vitin 2013, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës eksporti i produkteve kosovare në Rusi ka qenë në vlerë prej 2 mijë eurosh, e njëjta është edhe për import.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket eksportit, Kosova në Rusi gjatë vitit 2013 ka pasur vetëm 2 eksporte, derisa gjatë vitit 2014 nuk është shënuar asnjë eksport.

Ndërsa, sa i përket importit, Stavileci thekson se Rusia ka eksportuar në Kosovë produkte bujqësore si grurë dhe disa produkte tjera, por që janë po ashtu në vlera minimale.

“Megjithatë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, këto shkëmbime tregtare sado që janë minimale, do të ndërpriten automatikisht”, shton Stavileci.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën u është bashkuar vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të ndërhyrjes që ajo ka bërë në Ukrainë.

Analistë dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë e konsiderojnë këtë vendim pozitiv, pasi që, sipas tyre, Kosova tashmë ndodhet në procesin e stabilizim - asociimit dhe e ka për obligim që të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovë dhe Rusisë janë nën minimale.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i vendosur sanksione Federatës Ruse është vendim kryekëput i karakterit politik dhe është vetëm simbolik në aspektin ekonomik, pasi që, në mungesë të njohjes së shtetit të Kosovës nga Federata Ruse, e ka pasur deri më tani të pamundur të eksportojë në këtë vend dhe njëkohësisht importet në Kosovë kanë qenë jashtëzakonisht simbolike”, thekson Gashi.

Me marrjen e këtij vendimi, shton Gashi, Kosova është rreshtuar krahas aleatëve të saj strategjik euroatlantik.

Edhe përfaqësues të bizneseve kanë treguar se Kosova nuk ka marrëdhënie tregtare me Rusinë. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, e quan të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sanksioneve për Federatën Ruse.

Megjithatë, sipas tij, një vendim i tillë nuk do të ketë asnjë ndonjë ndikim të madh për Rusinë.

“Në aspektin ekonomik nuk ndikon shumë pasi që Kosova dhe Rusia transaksione ekonomike të drejtpërdrejta nuk kanë, mund të jenë disa, por shumë simbolike e që mund të zëvendësohen me vendet tjera. Por, Kosova nuk eksporton asgjë në Rusi”, thekson Shahini

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën, pas vendimit ka urdhëruar ministritë e linjës që të zbatojnë me përpikëri sanksionet e ndërmarra.

Sanksionet ndaj Federatës Ruse, ka thënë Thaçi do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër, varësisht nga rrethanat që mund të krijohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG