Ndërlidhjet

Sanksionet perëndimore do ta dëmtojnë ekonominë ruse


Bankë në Moskë
Bankë në Moskë

Rundi i fundit i sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me Ukrainën, do t’i kufizojë qasjet e Rusisë në atë që i duhet më së tepërmi: financimi perëndimor dhe teknologjitë e reja.

Sa shumë mund ta dëmtojnë këto sanksione Rusinë?

Sanksionet e reja u bënë në periudhën kur Rusia aktualisht është në gjendje të ndjeshme ekonomike. Trazirat lidhur me Ukrainën i kanë bërë nervoz investitorët dhe kanë shkaktuar rrjedhje masive të kapitalit; vlerësohet se afro 75 miliardë dollarë amerikanë janë tërhequr këtë vit nga Rusia, që është sasi më e madhe se e gjithë shuma e tërhequr në vitin 2013.

Kjo ka ndikuar që vlera e monedhës ruse rubla, të ulet për 9% dhe i ka shtuar çmimet e artikujve të importuar.

Por, sanksionet e reja, që për të parën herë i kanë marrë në shënjestër sektorët ekonomikë të Rusisë, e jo vetëm individë dhe entitete, kanë fuqi ta dobësojnë edhe më tepër ekonominë e Rusisë.

Ato do ta reduktojnë në mënyrë dramatike qasjen e Rusisë në tregjet perëndimore të kapitalit dhe te teknologjitë perëndimore, dy çështje që ekonomisë i duhen për ta stimuluar rritjen.

Ja se çka thotë lidhur me këtë çështje, Adam Slater, nga firma globale për këshilla, Oxford Economics, me seli në Londër.

“Parashikimi ynë bazë për rritje ekonomike para rundit të fundit të sanksioneve për Rusinë ishte vetëm 0.2% për vitin 2014, pra parashikim shumë afër zeros. Kjo tashmë ka inkorporuar ndikime negative që i kemi parë nga rundi i mëparshëm i sanksioneve. Me këto sanksione të reja, tash është një rrezik i madh që Rusia do të ketë rritje negative këtë vit”, tha Adam Slater.

Ekonomisti Slater thotë se rreziku i rritjes negative nuk është vetvetiu pasojë vetëm e ndikimit të sanksioneve të reja, por, po ashtu, efekti shqetësues i sanksioneve të ashpra perëndimore në investitorët.

“Ato sinjalizojnë se Rusia është një lokacion ku investimet realisht nuk janë të arsyeshme, ose janë të rrezikshme për shkak se sanksionet ndoshta mund të shtohen më tutje”, thotë Slater.

Cili do të jetë ndikimi i menjëhershëm?

Ndikimi i menjëhershëm do të jetë në sektorin financiar. Sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara ashpër e kufizojnë qasjen e bankave shtetërore të Rusisë në tregjet e kapitalit perëndimor, që aktualisht është burimi më i madh i jashtëm i financimit.

Sipas rregullave të sanksioneve, firmat nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë të ndaluar të financojnë për më tepër se 90 ditë në bankat kryesore që janë pronë e shtetit në Rusi. Kjo në mënyrë të fuqishme do ta kufizoj aftësinë e bankave që t’i financojnë projektet madhore zhvillimore.

Vladimir Miklashevsky, është ekonomist në Helsinki të Finlandës, i specializuar për Rusinë në Danske Bank.

Në këtë aspekt, ai thekson:

Shumica e projekteve kërkojnë investime afatgjata, dhe, duke pasur parasysh situatën aktuale ekonomike në Rusi, është veçanërisht e rëndësishme për të pasur investime afatgjata. Tash bankat që janë pronë e shtetit në Rusi nuk kanë qasje në këtë lloj të financimit”.

Për ta ilustruar se sa para të jashtme janë marrë hua deri tash nga Rusia, e përditshmja londineze, Financial Times, ka raportuar se bankat shtetërore ruse i kanë 33 miliardë dollarë borxhe të jashtme për 12 muajt e ardhshëm.

Nga ana tjetër, kompanitë shtetërore ruse jofinanciare i kanë 41 miliardë dollarë borxh gjatë periudhës së njejtë, ndërsa bankat private dhe kompanitë i kanë 87 miliardë dollarë borxh.

A ka Moska alternativë tjetër pos perëndimit?

Perëndimi mbështetet në suksesin e programit të sanksioneve, duke besuar se Rusia nuk mund të gjejë burime krahasuese të financimit ose të teknologjive të reja, diku tjetër.

Këtë pikëpamje Moska është përpjekur ta shkatërrojë duke kërkuar në lindje për tregje të reja të kapitalit dhe energjisë, e veçanërisht në Kinë, dhe duke bërë përpjekje për forcimin e grupit BRIC të ekonomive të fuqishme në rritje, të cilat në muajin mars janë pajtuar që ta formojnë një bankë zhvillimore.

Por, ekspertët financiarë thonë se tregjet e kapitalit në Azi nuk mund ta ndihmojnë ekonominë e Russisë me shumëllojshmëri të investimeve që i nevojiten, pasi tregjet e Azisë janë të dominuara nga investitorët shtetërorë e jo ata privatë. Janë investitorët privatë që tregjeve perëndimore u japin vitalitet.

Eksperti Vladimir Miklashevsky shprehet se investitorët privatë janë më tepër të prirë për rreziqe shtesë.

“Investitorët privatë janë më tepër të etur për të marrë rreziqe shtesë, ata janë shumë të interesuar në pjesën më të madhe të sektorëve, ndërsa investitorët shtetërorë në Kinë, që janë korporatat e mëdha shtetërore, kanë hapësirë shumë më të vogël të interesimit për investime”, thotë Miklashevsky.

Sipas tij, “ata do të mund të ishin të interesuar në sektorin e energjisë, por jo edhe në sektorin e shitjes me pakicë”.

A do të ndikojnë negativisht sanksionet në ekonomitë e BE-së dhe SHBA-ve?

Derisa Bashkimi Evropian i ka shpallur sanksionet e reja këtë javë, zyrtarë në disa shtete anëtare të BE-së u kanë tërhequr vërejtjen shtetasve se ndoshta duhet të paguajnë një çmim ekonomik për imponimin e sanksioneve ndaj Rusisë, që është partneri i tretë më i madh tregtar i Bashkimit Evropian.

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, tha se do të ketë “dhembje”, por ia vlen që të ndalet “agresioni rus”.

Rusia merr pjesë me më pak se 1% të eksportit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa SHBA-të nuk importojnë energji nga Rusia.

Kjo e bënë Uashingtonin më pak të ndjeshëm lidhur me sanksionet kundër Rusisë se sa Bashkimin Evropian, meqë shumë shtete anëtare të tij i frikësohen hakmarrjes së Rusisë nëse e gjithë kjo shndërrohet në një luftë të energjisë. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG