Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se zyrtarët e lartë apo bashkëpunëtoret e tyre vazhdojnë të jenë imunë ndaj hetimeve rreth pasurisë së tyre.
Ata thotë se institucionet kompetente dhe agjencitë ekzistuese që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, duhet të veprojnë duke u bazuar në ligjet ekzistuese që pasuria e zyrtarëve të lartë të hetohet.
Në Kryeprokurorinë e Shtetit thonë se luftimi i korrupsionit është prioritet i sistemit prokurorial të Kosovës.
Sipas tyre, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka zhvilluar politika dhe ka ndërtuar mekanizma përkatëse që përveç luftimit të korrupsionit, në Kosove të ndërmerren hapa konkretë edhe në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyre të kundërligjshme.
Prokurorja e shtetit Laura Pula, njëherësh koordinatore nacionale kundër korrupsionit, tha për Radion Evropa e Lirë se si rezultat punës së kryeprokurorisë ka aktgjykime dënuese dhe konfiskime të aseteve të fituara me vepra penale, që tejkalojnë shumën e miliona eurove.
“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që ja lejon ligji, ka dhe është duke ndërmarrë masa që në të gjitha rastet kur ka dëshmi dhe bazë ligjore të kërkojë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale”, tha ajo.
"Luftimi i kriminalitetit dhe veprave penale më serioze kërkon kohë, koordinim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, dhe tanimë kemi rezultatet e para të cilat do të vazhdojnë të jenë me evidente në muajt në vazhdim", ka deklaruar prokurorja Pula.
Mirëpo, drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, organizatë kjo që nga viti 2010 ka bërë monitorimin e pasurisë se personave zyrtarë, thotë për hetimin e pasurisë se zyrtarëve të lartë duhet të këtë vullnet politik nga të gjitha institucionet.
“Aktualisht ka bazë ligjore të mjaftueshme për të filluar hetimin e pasurisë ku mund të konsiderohet problem prejardhja e asaj pasurie. Ka bazë ligjore, nuk ishte dashur të ketë ligj specifik për hetimin e pasurisë. Do të thotë ekziston ligji, po ashtu ekziston edhe klauzola në Kodin Penal, kështu që në aspektin ligjor ne jemi në rregull por vetëm na duhet një vullnet politik nga agjencitë e pavarura që do ta hetonin deklarimin e pasurisë”, tha Zogaj.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se deri më tash për rastet e dyshuara të pasurimit në mënyrë të paligjshme të zyrtarëve, agjencia ka iniciuar hetimet bashkë me organet kompetente të drejtësisë.
Megjithatë, ai tregon se tash për tash nuk ka raste të fuqishme të cilat trajtohen as nga gjyqësori e nuk ka as aktakuza të fuqishme të ngritura.
“Sa i takon ligjit për konfiskimin e pasurisë, poenta ishte që të konfiskohet pasuria, por qëndrimi ynë është që barra e provës të jetë te individi, jo te shteti, ose thënë shkurt tani shteti duhet me bind gjyqësorin se një pasuri është krijuar në mënyrë të paligjshme".
"Mendimi jonë është provat me qenë te zyrtarët dhe secili prej zyrtarëve i cili nuk mund të dëshmojë pasurinë e krijuar – pasurinë e deklaruar, nuk mund të dëshmojë në afate ligjore ajo duhet të konfiskohet. Kjo ka mbetur e pa rregulluar dhe ky ligji këtë lami nuk e rregullon, duhet të dëshmohet që është një vepër penale, më pastaj edhe konfiskimi të realizohet”, tha Preteni.
Duke folur për ligjet ekzistuese që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, Preteni tha se ato janë shumë të rëndësishme, por sipas tij, nuk po zbatohen, pasi që mungon vullnet i përgjithshëm politik.
“Definitivisht mendoj se nuk po na mungojnë ligjet. E kanë bishtësin e vet edhe këto ligje, janë edhe institucionet, por po na mungojnë rezultatet. Rezultatet definitive, dënimet penale dhe konfiskimi i pasurisë se krijuar në mënyrë të paligjshme”, tha Preteni.
Nga ana tjetër, edhe qytetarët mendojnë se kryesisht zyrtarët e lartë dhe udhëheqës të institucioneve janë të korruptuar, dhe se pasuria e tyre është e paligjshme.
Studentja e Fakultetit Juridik, Donika Jashari nga Prishtina, thotë se pasuria e zyrtarëve duhet të hetohet.
“Absolutisht, mendoj se që kryesisht politikanët të cilët janë pasuruar për një periudhe të shkurtë kohore duhet t’iu hetohet pasuria. Dhe nëse ajo pasuri është fituar në mënyre të paligjshme duhet konfiskuar”, tha Jashari.
Drejtuesit e organizatave joqeveritare kanë deklaruar se nëse vazhdon pandëshkueshmëria ndaj elitës politike, Kosova do të rrezikojë me dështimin e shtetit.
Sipas tyre mungesa e përparimit të Kosovës si një shtet i bazuar në sundim të ligjit dhe mbi parimet e shtetit demokratik, do të pengojë sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimin e saj ekonomik.