Ndërlidhjet

S’dihet burimi i parave


Më gjithë ekzistimin e mekanizmave ligjor për raportimin e çdo transaksioni bankar mbi 10 mijë euro, qoftë nga individë apo subjekte të ndryshme në bankat komerciale, në Kosovë ka qytetarë milionerë pa ditur burimin e prejardhjes se mjeteve të tyre financiare, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Ata kërkojnë nga autoritetet kompetente që të verifikohet prejardhja e mjeteve në xhirollogaritë bankare në vlera të mëdha.

Profesori Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të kontrollohen transaksionet bankare dhe institucionet financiare duhet të kërkojnë burimin e mjeteve.

“Këta pse nuk e paraqesin është pa koment, për arsye se te ne nuk ka përgjegjësi dhe 'peshqit e mëdhenj' nuk i nënshtrohen këtyre procedurave. Përndryshe më ligj asnjë transaksion nuk mund të realizohet pa e ditur burimin. Për këtë arsye ne kemi milionerë të cilët nuk e paraqesin burimin e të ardhurave”, thotë Limani.

Në anën tjetër, Petrit Balija, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se është obligim ligjor që bankat komerciale në vend të kërkojë burimin e transaksioneve.

Ndërkaq, sipas ligjeve ndalohet publikimi i të dhënave të këtyre klientëve.

“Në fakt është Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave që ndalon publikimin e të dhënave të tij, por janë institucionet relevante shtetërore, ku raportohen këto informata”, thotë Balija.

Ndryshe, çdo transfer mbi 10 mijë euro që klientë të ndryshëm deponojnë në banka dhe institucione mikro-finaciare, janë të obliguar të plotësojnë një formular për burimin e prejardhjes së fondve dhe përcaktimin e pronësisë se përfituesit.

Këto procedura janë të parapara më Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes se Parave dhe Financimit të Terrorizimit.

Madje bankat dhe institucionet mikro- financiare në vend duhet të raportojnë tek Njësia për Inteligjencë Financiare për të gjitha transaksionet individuale apo të një subjekti në vlerë prej dhjetëmijë euro ose më shumë brenda një dite.

Po ashtu, institucionet financiare duhet të raportojnë edhe për të gjitha aktet ose transaksionet e dyshimta brenda 24 orëve, nga koha kur akti apo transaksioni është identifikuar si i dyshimtë.

Në një përgjigje për mes postës elektronike, nga zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Financave, thonë se të dy format e transaksioneve analizohen dhe në bazë të dyshimit hapet rasti nga ana e Njësisë se Inteligjencës Financiare dhe dorëzohet në Prokurorinë Speciale ose në institucionet e zbatimit të ligjit.

Njësia e Inteligjencës Financiare funksionon në kuadër të Ministrisë se Financave dhe ka për qëllim të luftohet në mënyrë efektive shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit në Kosovë.

Si institucionin qendror i pavarur kombëtar është përgjegjës për kërkimin, marrjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritet kompetente dhe bërjen publike të informacionit në lidhje me shpëlarjen potenciale të parave dhe financimin e terrorizmit.

Pavarësisht kësaj Njësie, Musa Limani, thotë se Kosova është shndërruar si terren i përshtatshëm për shpëlarjen e parave.

Shpëlarja e parave qëndron këtu, sepse njerëzit të cilët kanë para të deponuara dhe ndërton ndonjë objekt dhe askush nuk i kërkon prejardhjen e parasë. E keqja qëndron këtu, nga ato para, ku i merr, ku është burimi i kapitalit, nuk është vlerë e vogël - aty janë në pyetje miliona. Dhe në Kosovë milionat nga merren, për mes pagës është e pamundur", thotë Limani.

Në një raport të vitit të kaluar të Njësisë për Inteligjencë Financiare, të quajtur “Tipologjitë e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit në Kosovë”, thuhet se ka pasur raste kur kreditë bankare janë përdorur për justifikimin e prejardhjes.

Ky institucion, thuhet në raport ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për hetime të ndryshme penale duke ofruar raporte të inteligjencës për transaksione të dyshimta, përcjelljen e parasë së gatshme dhe në të njëjtën kohe duke siguruar informacione për rrezikun që ka vendi nga veprat penale të Shpëlarjes së Parasë dhe Financimit të Terrorizmit.

XS
SM
MD
LG