Ndërlidhjet

Mbetjet mortore sillen nga Rudnica në Kosovë


Mbetjet mortore sillen nga Rudnica në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, në Merdare ka pranuar mbetjet mortore të 16 viktimave shqiptare të luftës, mbetjet e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Ky është dorëzimi i parë i mbetjeve mortore nga Serbia për viktimat e gjetura në Rudnicë. Deri më tash janë gjetur 45 mbetje mortore.

Dorëzimi i së premtes u bë pavarësisht se pala kosovare kishte kërkuar nga Serbia që të mos i dorëzojë mbetjet mortore deri më 26 gusht.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për persona të Pagjetur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia ka vepruar ndryshe duke dërguar të premten mbetjet mortore të 16 viktimave shqiptare të luftës.

“I kemi lutur që kjo të shtyhet deri më 26 gusht, për shkak se familjet e viktimave nuk kanë qenë të njoftuara me kohë. Pala serbe nuk e pranoi kërkesën tonë, për shkak se për një gjë të tillë tashmë ekziston vendimi i gjyqit, i cili e ka caktuar datën e sotme (e premte 22 gusht) dhe data nuk ka mundur të ndryshojë. Mbetjet mortore i kanë nisur nga Rudnica drejt Merdares”, ka thënë Gjetaj.

Bajram Qerkini nga Asociacioni i të zhdukurve, “Zëri i Prindërve”, në mëngjes ka marrë pjesë në përfundimin e gërmimeve në lokacionin e tretë në Rudnicë dhe aty ka parë se trupat e identifikuar ishin të ngarkuar në automjet për transport.

“Familjet nuk e dinë, edhe pse ekziston një listë që tregon se kush janë viktimat. Familjet nuk e kanë idenë për këtë. Ne që e udhëheqim shoqatën, dje kemi marrë vesh për këtë. Sot kemi shkuar që t’i lusim që këtë transportim ta shtyjmë deri më 26 gusht, diçka që është kërkuar edhe nga Prenk Gjetaj. Këtë kërkesë nuk ka dashur ta dëgjojë Veljko Odaloviq”.

“Familjet tona ende nuk llogarisin se ekzistojnë këta trupa. Në Merdare do të jenë disa shoqata që ne kemi arritur t’i kontaktojmë, dhe disa familje nga Skënderaj, Drenasi dhe Podujeva. Mirëpo, do të jenë pak familje, sepse nuk janë njoftuar me kohë”, ka thënë Qerkini për Radion Evropa e Lirë.

Nga EULEX-i njoftohet se mbetjet mortore do të dërgohen në selinë e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të punohet në identifikimin e tyre.

Përpos punës në identifikimin e tyre, ka disa fragmente që duhet të bashkohen me mbetjet tjera mortore.

Më pas, mbetjet mortore do t’iu dorëzohen familjeve me ndihmën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Gjatë takimit të mbajtur të enjten të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Pagjetur është thënë se delegacioni kosovar krahas grupeve punuese për të zhdukurit është informuar se në Rudnicë janë identifikuar edhe 24 persona të tjerë, përfshirë edhe 18 raste të reja, si dhe 6 raste ku disa pjesë të eshtrave janë bashkuar me pjesët e tjera të mbetjeve mortore.

Ekzaminimet në Rudnicë të Rashkës kanë filluar më 11 dhjetor të vitit 2013, nga zyrtarët serbë së bashku ekspertët e Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, ekspertët kosovarë të mjekësisë ligjore.

Gërmimet kanë filluar duke u mbështetur në deklarimet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe pamjeve satelitore. Pas dy ditë gërmimesh ishin gjetur mbetjet e para mortore.

Analizat e ADN-së kanë zbuluar se mbetjet e gjetura në këtë varrezë masive iu takojnë viktimave shqiptare nga lufta e Kosovës.

Prokuroria për krime lufte në Serbi në maj të vitit 2010 ka thënë se varreza potenciale masive në Rudnicë mund të përmbajë mbetjet mortore të 250 shqiptarëve të vrarë në periudhën nga viti 1998 deri më 1999.

Përgatiti: Artan Haraçia

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG