Ndërlidhjet

Kasumi: Mund të jenë mbi 450 trupa në Rudnicë


Rudnicë
Rudnicë

"Shifrat varirojnë nga 250, edhe pse gjithherë them se janë burime nga institucioneve serbe, e ato mund të shkojnë deri në 450 ose edhe me tepër. Por e vërteta do të del atëherë kur të kryhet mihja dhe të bëhet identifikimi", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Haki Kasumi, nga Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kasumi, procesi i gërmimit në Rudnicë të Rashkës, ku po hulumtohet varreza masive, që prej fillimit është përballur me disa vështirësi. Ku qëndron problem?

HAKI KASUMI
Pala serbe ka qenë destruktive dhe ka bërë obstruksione të shumta që nga fillimi edhe pse e kemi bindjen dhe burime të palës serbe se në Rudnicë të Rashkës gjendet një numër i madh i mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë padrejtësisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shifrat varirojnë nga 250 edhe pse gjithherë them se janë burime nga institucioneve serbe, e ato mund të shkojnë deri në 450 ose edhe me tepër. Por e vërteta do të del atëherë kur të kryhet mihja dhe të bëhet identifikimi. Përndryshe jam i bindur se pala serbe e din në mos kofshin aty, janë në ndonjë varrezë afër ose rrethinë të Rashkës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa trupa të pajetë janë gjetur deri më tash në këtë lokacion dhe sa të tjerë dyshohet se janë ende aty?

HAKI KASUMI
Në "Rudnica 1" janë gjetur, orientimisht po them, deri tash trupa që pjesët e tyre janë dërguar në laboratorin e Sarajevës, diku rreth 50, dhe pritet që brenda këtij muaji do të marrin informacione dhe do ta dimë saktë. Dy trupa janë identifikuar dhe janë të Rezallës së Komunës së Skenderajt gjë që korrespondon me numrin e gjetur deri tash dhe na mban shpresa që kjo pjesë e familjarëve të cilët fatkeqësisht i kanë varret e zbrazura që nga viti 1999.

Derisa nga pala serbe janë nxjerr trupat dhe janë dërguar kinse për identifikim, për t'i bërë analizat e tyre dhe ata nuk janë kthyer më, duke u dërguar në drejtime të panjohura dhe tash doli se tash gjenden në varrezat masive në Rudnicë të Rashkës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetjet mortore të disa viktimave të gjetura në Rashkë, tashmë është konfirmuar se janë nga fshati Rrezallë e Drenicës. A dihet të paktën, gjeografikisht, se prej nga supozohet se janë viktimat e tjera që dyshohet se janë në këtë varrezë masive?

HAKI KASUMI
Ne si aktivistë, por në bashkëpunim me komisionin qeveritar të Rapublikës së Kosovës për persona të pagjetur, kemi bërë një lloj analize dhe jemi të bindur se aty mund të qëndrojnë komplet trupat e të vrarëve në Rezallë, e poashtu supozojmë se mund të jenë edhe trupat e të vrarëve dhe të zhvarrosurve në Izbicë të Skenderaj.

Pra janë trupat e të vrarëve nga kjo anë, që gjeografikisht kanë koresponduar me këtë rrugë, në drejtim të Rashkës, ku sigurisht pala serbe ka dokumentacion të shkruar. Por problemi qëndron se si të gjendet ëelësi i së vërtetës dhe të hapen arkivat e tyre ku qëndron e vërteta e fatit të këtyre njerëzve të cilët ju mungojnë familjarëve të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta, që nga viti 1999. Cilat janë hapat konkret që ju keni ndërmarrë?

HAKI KASUMI
Ne si shoqëri civile, si këshill koordinues që bashkon mbi 20 shoqata të familjarëve anë e mbanë Kosovës dhe mbulon gjithë territorin e Kosovës që është prekur me këtë lloj krimi, ne kemi qenë aktivë që nga fillimi dhe kemi bërë përpjekjet tona për sensibilizimit të opinionit dhe ushtrimit të presionit e përgjegjësve që kanë obligim të punojnë në këtë drejtim, në mënyrë që të sigurojnë informacion për familjarë që është e garantuar me Konventa Ndërkombëtare dhe ligje pozitive të Kosovës.

Fatkeqësisht pala e cila ka informacion dhe është e detyruar të ndihmojë, pala serbe, po bën lojën e saj, pasi që sigurisht në Qeverinë serbe gjenden një numër i madh i njerëzve të implikuar në këto krime dhe ata frikësohen se do të vije momenti kur do të dalin para drejtësisë. Përndryshe i porosisim ata dhe të gjithë kriminelët se fshehja e krimit është krim i dytë dhe krim i rëndë kundër njerëzimit, dhe ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presionin tonë në të gjitha adresat dhe mekanizmat.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka - ose nuk ka - bashkërendim përpjekjesh ndërmjet autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare, për hulumtimin e të gjitha lokacioneve të dyshuara si varreza masive?

HAKI KASUMI
Nga tereni ka ankesa të shumta. Familjarët dhe aktivistët e këshillit koordinues dhe të organizatave jo qeveritare kanë punuar në teren dhe kanë ofruar informacione por edhe fakte konkrete dhe dëshmi të tjera ku vërtetojnë se në shumë vende ku janë zhvilluar luftimet dhe ka kaluar ushtria serbe ka varreza masive dhe ka vende ku qëndrojnë të fshehura mbetjet mortore të njerëzve fatkeq.

Por komisioni qeveritar i Republikës së Kosovës, në njëfarë mënyre është i pamundshëm, është joprofesional dhe nuk po ka ndonjë mënyrë aftësi që të përcjell shqetësimet tona dhe të ushtrojë trysninë e duhur te mekanizmat ndërkombëtare, të cilat janë hallkë e rëndësishme që do të mund të ushtronin trusni dhe kanë kontakt të rregullt dhe kanë mundësi të ushtrojnë ndikim te përgjegjësit e këtyre krimeve, që në fakt ne i konsiderojmë përfaqësues të Qeverisë së tashme dhe të atëhershme të Republikës së Serbisë.

XS
SM
MD
LG