Ndërlidhjet

Krim me ndjenjat e familjarëve


Ndërprerja e gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, në prag të fillimit të gërmimeve për varreza masive në lokacionin e tretë, është bërë në mënyrë të njëanshme dhe kjo është shqetësuese për Komisionin Qeveritar për të Zhdukur.

Gërmimet janë ndërprerë për shkak se pala serbe e angazhuar në këtë proces, arsyetohet se u mungojnë fondet.

Për këtë pala kosovare ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Zhdukur, Prenk Gjetaj konsideron se me këtë ndërprerje pala serbe po bën krim më ndjenjat e familjarëve të të zhdukurve.

Vendimin për ndërprerjen e punimeve e quan të paqëndrueshëm, sepse siç thotë ai, pala kosovare ka mundësi që për këtë çështje të financojë ndonjë projekt.

Tani mendoj se është krim që të luhet më ndjenjat e familjarëve, se kemi apo nuk kemi mjete financiare. Dhe në një takim me palën serbe dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, kemi treguar gatishmëri që edhe financiarisht të përkrahim ndonjë projekt që dërgon në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Bëhet fjalë për njerëzit tanë edhe pse pala serbe i ka bërë ato krime, atyre i takojnë që të financojnë këto projekte dhe të përgjigjen për krimet”, thotë Gjetaj.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, në lokacionin e dyshuar si varrezë masive në Rudnicë kishin filluar gërmimet dhe me 13 dhjetor ishin hasur në mbetjet e para mortore.

Gërmimet në lokacionin e dytë kanë nisur më 30 qershor dhe kanë përfunduar pa gjetje, kurse në prag të fillimit të gërmimeve për lokacionin e tretë punimet janë ndërprerë me 3 korrik.

Prenk Gjetaj ka thënë se deri më tani në varrezën masive në Rudnicë janë gjetur trupat e 45 viktimave, kurse 156 mostra janë dërguar për analiza të ADN-së, ku nevojitet kohë për rezultatet.

“Nga gjysma e gushtit presim rezultatet. Ende nuk kemi ndonjë konfirmim nga Komisioni ndërkombëtar për identitetin e personave të cilat do të përfaqësohen më këtë analizë”, thekson Gjetaj.

Edhe Arsim Gërxhaliu, drejtor i Drejtorisë për mjekësi ligjore, i cili i ka prirë ekspertëve të palës së Kosovës në gërmimet në Rudnicë, ka thënë për Radion Evropa se ndërprerja e gërmimeve është shqetësuese për palën kosovare.

Gërxhaliu, ndërkaq tregon për mostrat e dorëzuara në departamentin e mjekësisë ligjore.

Ato mostra i takojnë 45 trupave që përafërsisht janë relativisht të mirë të kompletuar dhe 87 mbetjeve mortore të cilat kanë qenë të shkapërderdhura. Dhe në çdo moment kur dyshon se i mungon një pjesë një trupi, atëherë merret mostra. Rezultatet kërkojnë kohë dhe së paku katër deri në gjashtë jave kërkohet kohë për t'u kthyer një analizë e ADN-së”, tha Gërxhaliu.

Në varrezën masive në Rudnicë dyshohet të jenë mbetjet mortore të rreth 300 shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të zhdukur që nga viti 1999.

XS
SM
MD
LG