Ndërlidhjet

Pasoja të mëdha nga ngërçi politik


Kosova gjatë kësaj periudhe është dashur të përballet më shumë sfida që lidhen me procesin e integrimit evropian, konkretisht çështjet që lidhen me marrëveshjen e stabilizim asocimit dhe shumë procese tjera.

Por, që në mungesë të krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit të gjitha këto çështje, sipas analistëve politik nuk kanë arritur të adresohen.

Analisti Dren Doli thotë për Radion Evropa e Lirë se vonesa e gjatë për krijimin e institucioneve të reja të do t’i sjell Kosovës pengesa të mëdha jo vetëm tani por edhe në të ardhmen e afërt.

“Kosova në këtë fazë përballet me shumë sfida, sfidat më të rëndësishme dhe të nevojshme që Kosova t’i adresojë në këtë periudhë të shkurtër dhe në pamundësi të një qeverie efektive dhe efikase lidhen me procesin e integrimit evropian".

"Konkretisht çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen e stabilizim asocimit dhe një numër të madh të kritereve të paplotësuar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe çështjet tjera të rëndësishme për funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës”, shton Doli.

Mos konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë së re të Kosovës e cila ka sjell pengesa apo ka zgjatur adresimin e shumë sfidave me të cilat përballet vendi, thotë Doli, do të reflektohen edhe në raportet tjera ndërkombëtare, sidomos ato të Bashkimit Evropian.

Derisa, sipas Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim ngërçi politik mund të thellohet edhe më shumë nëse çështja nuk zgjidhet deri në fund të gushtit.

“Tani kemi një rrezik ku ngërçi mund të thellohet edhe më tutje nëse çështja nuk zgjidhet deri në fund të gushtit dhe ju skadon mandatit edhe anëtarëve të gjykatës kushtetuese, të paktën në mund të hyjmë në një situatë kur shumë pak institucione kanë legjitimitet politik”, thotë Malazogu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se liderët politik duhet të tregohen të pjekur dhe këtë situatë ta tejkalojnë vet, pasi që nëse kjo nuk do të tejkalohet do të jetë një njollë negative për vendin.

“Në mund të vim serish në një situatë kur Bashkësia Ndërkombëtare do t’i ul të gjithë liderët politik dhe të gjejë një kompromis, kjo do të ishte një shenjë që Kosova nuk është vend i pjekur, vetë fakti që ndërkombëtarët i kanë lënë që të merren vetë më ketë çështje e konsiderojnë si një pjesë të pjekurisë të institucioneve. Pra kjo është testi kryesor nëse ne do të kalojmë këtë më pjekuri politike duke e shikuar interesin e vendit apo interesat e partisë”, shton Malazogu

Ngërçi politik i krijuar në Kosova gjatë këtyre dy muajve të fundit sipas analistëve i nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Analisti Dren Doli kujtojnë problemet e mëhershme që ka pasur vendi në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet, por thotë se situatat e tilla ishin tejkaluar më lehtë në atë kohë dhe problemet ishin adresuar.

“Problemet e tanishme me probleme të ngjashme Kosova nuk është përballur asnjëherë dhe kjo do të duhej të sillte një refleksion nga ana e partive politike mbi mënyrën se si ato parti politike do të vendosin të sillen kundrejt institucioneve shtetërore".

"Unë besoj që partitë politike përveç besimit të qytetarëve që kanë marrë me votën e tyre ata kanë përgjegjësi edhe më të madhe në kuptim të adresimit të të gjitha këtyre problemeve që ka Kosova edhe në ruajtjen e stabilitetit politik”, shprehet Doli.

Si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, që nga muaji maj dhe mos konstituimi I Kuvendit të ri janë edhe shumë ligje kanë mbetur pa u miratuar.

Ligji për zgjedhjet, ai për vërtetimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, janë vetëm disa nga ligjet, të cila kanë qenë në procedurë për t’u aprovuar.

I gjithë procesi deri më tani ka mbetur i “bllokuar” në pritje të një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese, mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në seancën e 17 korrikut, gjë të cilën e ka kërkuar Partia demokratike e Kosovës.

XS
SM
MD
LG