Ndërlidhjet

Krijimi i krizave politike në kushtetuese


Masa e Përkohshme që Gjykata Kushtetuese shpalli për pezullimin e postit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës ishte e pritshme dhe se tani ajo të ketë efekte në raport me formimin e institucioneve të reja, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.

Ata thonë se me këtë masë, suspendohet afati kushtetues për Kuvendin e Kosovës, duke e përjashtuar mundësinë që vendi tash për tash të shkojë në zgjedhje.

Po ashtu, masa nuk i lejon as presidentes Atifete Jahjaga të shpallë mandatarin për krijimin e qeverisë.

Procesi në Gjykatën Kushtetuese pritet që ta lë Kosovën pa qeveri të re edhe për një kohë dhe të vazhdojë tutje me qeverinë në largim, por e cila nuk i ka kompetencat e plota.

Analisti Dren Doli thotë se vendimi i Kushtetueses për rastin Mustafa ka qenë i pritshëm, marrë parasysh kërkesën që kishte parashtruar Partia Demokratike e Kosovës.

Por, ai beson se kjo gjykatë mund të marrë vendimin para 18 shtatorit, si afat i fundit ligjor, për shkak të rëndësisë që ka për vendin konstituimi i institucioneve të reja.

“Çfarë Gjykata Kushtetuese mund të bëjë me vendimin përfundimtar është që t’i japë përgjigje kuptimit apo termit grup parlamentar dhe kohës se kur sipas Kushtetutës konsiderohet i themeluar grupi parlamentar në mënyrë që t’u jap përgjigje përfundimtare debateve politike se kush është grupi më i madh parlamentar i cili me automatizëm fiton të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe t’u hap rrugë zgjedhjes së institucioneve”, ka thënë Doli.

Ndërkohë, analisti Halil Matoshi thotë se vendimi fillestar i kushtetueses ishte i pritshëm.

Por, sipas tij, në rast se kjo Gjykatë do të shtyjë marrjen e vendimit përfundimtar deri më 18 shtator, atëherë ky vendim mund të marr konotacione politike.

“Në rend të parë ky vendim e ndal kohën kushtetuese dhe në një mënyrë i eviton zgjedhjet e jashtëzakonshme. Mirëpo nëse vendimi përfundimtar do të zvarritet sipas aftit ligjor deri më 18 shtator, siç thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë objektivisht del që Gjykata Kushtetuese ka rrëshqitur apo është influencuar politikisht”, ka thënë Matoshi.

Kohët e fundit, Gjykata Kushtetuese ka qenë e vërshuar nga kërkesat e institucioneve dhe subjekteve politike për interpretime.

Dren Doli tërheq vërejtjen se në disa raste, partitë madje po kërkojnë zgjidhje të problemeve që kërkojnë konsensus politik përmes këtij organi jo politik.

“Kosova nuk mund të vazhdojë përjetësisht që debatet politike t’i shndërrojë në kriza kushtetuese apo kriza institucionale dhe zgjidhjen për këto kriza ta kërkoj jashtë vullnetit të tyre politik duke i ngarkuar apo bërë presion organeve të pavarura”, ka deklaruar Doli.

Edhe analisti Halil Matoshi konsideron se Gjykata Kushtetuese nga subjektet politike po shihet si një institucion i pushtetit absolut, për shkak të kërkesave të vazhdimësi që po i parashtrohen në mungesë të marrëveshjeve politike.

“Praktikisht Gjykatës Kushtetuese në njëfarë mënyrë po i drejtohen të gjithë dhe për gjithçka është kthyer, kushtimisht thënë në një pushtet absolut në Kosovë, kurse dihet që Gjykata Kushtetuese nuk është pushtet politik”, ka theksuar Matoshi.

Me Masën e Përkohshme, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit dhe ka suspenduar aktivitetet e Kuvendit deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Pas lëndës që PDK i ka dërguar Kushtetueses për kontestimin e zgjedhjes së Mustafës, tani edhe blloku LDK, AAK, Nisma dhe deputetët që qëndruan në sallë gjatë mbledhjes konstituive të 17 korrikut kanë të drejtë të parashtrojnë përgjigjet e tyre para se të merret vendimi final nëse Mustafa ishte zgjedhur apo jo sipas procedurave të rregullta.

XS
SM
MD
LG