Raporti i radhës i Këshilli të Evropës lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili pritet të publikohet ditët në vijim, do të jetë vetëm edhe një hap i rëndësishëm para në këtë proces, por jo edhe përmbyllje e procesit, vlerësojnë njohësit e proceseve të integrimeve evropiane në vend.
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, vlerëson se është pozitiv dhe i rëndësishëm fakti se blloqet, siç janë ato për sigurinë e dokumenteve, për çështje të anti-korrupsionit, për menaxhimin e integruar të kufijve, me të cilat institucionet e Kosovës, siç thotë ai, tashmë janë familjarizuar, po vlerësohen.
Por, megjithatë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ka edhe aspekte te tjera, të cilat janë pengesë drejt përfundimit të procesit.
“Po vlerësohen të gjitha blloqet. Është lajmi mirë dhe sigurisht që do të ketë rekomandime të mëtutjeshme se çfarë duhet bërë. Në anën tjetër, përderisa kemi progres në aspektet e zbatimeve teknike, qoftë për kapërcim të ligjeve apo themelim të ndonjë organi, disa ditë më herët e patëm një sondazh, ku 25 për qind të kosovarëve, nëse do të kishin mundur do të dilnin jashtë, automatikisht. Pra, edhe po t’i plotësoj Kosova të gjitha kushtet tjera, nëse BE-ja vlerëson që do të ketë numër të madh të azilkërkuesve, prapë do të ishte problem çështja e liberalizimit të vizave për kosovarë”, thotë Muharremi.
Emrush Ujkani, njohës i të drejtës së Bashkimit Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka ende shumë për të bërë për ta merituar liberalizimin e vizave.
Sipas tij, infrastruktura ligjore e miratuar nga institucionet e Kosovës, për të qenë në përputhje me infrastrukturën ligjore të Bashkimit Evropian, duhet edhe të zbatohet.
Në anën tjetër, sipas tij, lëvizja e qytetarëve të Kosovës në mënyrë ilegale në vendet e Evropës e pengon procesin. Ujkani shpreh mendimin se institucionet e Kosovës ende nuk i kanë kryer plotësisht detyrat të cilat u janë vënë nga Bashkimi evropian.
“Nuk e besoj. Përkundër asaj që ka opinione të ndryshme që flasin se ka pasur progres të mjaftueshëm, megjithatë, unë jam shumë i sigurt që ende nuk kanë arritur t’i kryejnë të gjitha ato që kërkohen nga BE-ja dhe në rend të parë, flas për zbatimin në mënyrë shumë konkrete të asaj që është infrastrukturë ligjore, e miratuar në përputhje me kërkesat për liberalizimin e vizave. Pra, kryesisht, për procesin e riatdhesimit. Këto janë ligje që nuk është e thënë vetëm t’i miratosh, por është shumë më e rëndësishme dhe shumë më sfiduese që t’i zbatosh në praktikë”, shprehet Ujkani.
Ndryshe, të dy këta njohës të proceseve integruese vlerësojnë që situata politike në vend, ku aktualisht Kosova ende nuk e ka qeverinë e re dhe funksionale, e ngadalëson ritmin drejt realizimit të kushteve dhe detyrave që ndërlidhen me procesin që qon drejt liberalizimit të vizave.
Muharremi thekson se lidershipi politik në vend duhet sa më shpejt t'i konsolidojë institucionet, në mënyrë që të adresohen me përpikëri kushtet e ndërlidhura me procesin.
“Ideja është që ne të vazhdojmë edhe me një raund më intensiv të zbatimit të kushteve, që eventualisht t’i përfundojmë këto kushte diku deri në fund t vitit ose në çerekun e parë të vitit tjetër, në mënyrë që eventualisht, kah mesi i vitit të ardhshëm të kenë mundësi qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm. Por, mos të harrojmë që prej momentit kur merret vendimi apo bëhet vlerësimi që Kosova i ka përmbushur kushtet, do të na nevojiten edhe disa muaj që të kalohen procedurat legale brenda BE-së, që t’iu mundësohet qytetarëve dhe bizneseve kosovare që të udhëtojnë lirshëm”, thotë Muharremi.
Por, me dinamikën që po zhvillohet procesi, sipas Ujkanit, nuk mund të pritet që procesi për liberalizmin e vizave për Kosovën të përfundoj shumë shpejt.
“Mendimi im është që, të themi, mundësia ideale, më e mundshme, është që të kemi një vendimmarrje kah fundi i vitit 2015 në favor të Kosovës, në qoftë se punohet me dinamikën çfarë është punuar. Por, kjo dinamikë është dashur që të jetë në një kohë pak më herët, për të pasur një vendim në kohën, të cilën po e synojnë një pjesë e opinionit tonë dhe institucionet tona. Prandaj, unë mendoj që kah fundi i vitit 2015 mund të ketë një vendimmarrje dhe mundësisht, në fillim të vitit 2016, qytetarët e vendit tonë të lëvizin lirshëm në kuadër të asaj që quhet ‘Shengeni i bardhë’”. thekson Ujkani.
Ndryshe, njohësit e integrimeve evropiane i kanë vlerësuar të dëmshme deklaratat e drejtuesve të institucioneve në vend, përmes të cilave u kanë premtuar qytetarëve të Kosovës liberalizim të vizave në afat të shpejtë, gjë që nuk ka qenë në përputhje me dinamikën e procesit, si dhe zhvillimet brenda këtij procesi.