Rezultatet e maturës shtetërore kanë bërë të ditur se nxënësit më mirë njohin gjuhën angleze sesa gjuhën amtare, përfshirë këtu rezultatet e marra në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase.
Provimet e maturës shtetërore kanë treguar që nota që nxënësit kanë fituar bashkërisht në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke, arrin vetëm në 2.99, derisa në lëndën e gjuhës së huaj, nxënësit kanë arritur një mesatare prej 3.43.
Për të rritur njohuritë rreth gjuhës amtare, dikasteri i Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar reforma në arsim, gjegjësisht në pjesën e përzgjedhjes së kandidatëve, të cilët do të përcaktohen për profesionin e mësimdhënies.
“Planifikohen reforma të thella sa i përket kualifikimit të kuadrit arsimor me atë që në të ardhmen do të kemi jo vetëm ndryshimin e programeve studimore, por edhe ashpërsimin e kritereve rreth përzgjedhjes së kuadrit të kualifikuar arsimor, duke pasur për bazë rritjen e cilësisë në arsim”, bën të ditur Abdulaqim Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ai thotë se periudha njëvjeçare do t`i kushtohet përpilimit të studimeve, ku duhet fokusuar reformat dhe si duhet realizuar ato.
Por, ekspertët e kësaj çështjeje thonë se nevojiten reforma thelbësore për të përmirësuar gjendjen faktike, duke filluar nga metodologjia e mësimdhënies, e cila nuk ka lëvizur në hap me kohën.
“Ne nuk kemi bërë analiza se çka në fakt u intereson atyre, cilat janë ato tema, që mund të nxisin kureshtjen e nxënësve për të lexuar . Në shkolla edhe më tej shtrohen titujt, të cilët janë mësuar nga prindi im, kam mësuar unë fëmijët e mi, tani duket se po ato lektyra do t’i mësojnë edhe nipërit e mi. Pra, nevojitet një analizë e mirëfilltë nga autoritetet përkatëse se sa këto tema, në një formë, janë atraktive ose thënë kushtimisht, prekin realitetin, të cilin e jetojnë nxënësit e sotëm”, konsideron profesor Avzi Mustafa, nga Fakulteti Albanologjik në kuadër të Universitetit të Shkupit.
Nga ana tjetër, nxënësit ankohen se shumë pak i kushtohet vëmendje nxitjes së kreativitetit të tyre për të shkruar.
Talia Kastrati, nxënëse e shkollës “Ismail Qemali” në Shkupit, thotë se e ka shumë më lehtë t`i nënshtrohet testimit në gjuhën angleze, sesa atij në gjuhën shqipe, jo vetëm për faktin siç thotë ajo se gramatika, e cila është më e vështirë, por edhe për faktin se gjatë orës së mësimit më shumë kujdes i kushtohet biografisë së autorit dhe veprave të shkruara sesa analizës së librave, kjo e bën më të vështirë mbamendjen.
“Po gjatë orës së gjuhës angleze pothuajse jemi të detyruar çdo orë të shkruajmë ese të shkurtra, njëherësh pjesë të teksteve nga autorë të caktuar i modifikojmë sipas imagjinatës sonë, kjo e bën më të lehtë mbajtjen mend të mësimeve”, thotë Talia.
Mungesa e njohjes së gjuhës shqipe është edhe më shqetësuese nëse kemi parasysh faktin se gjatë aplikimit të dygjuhësisë administrata bën gabime skandaloze, të cilat janë të patolerueshme, thonë gjuhëtarët.
“Për të përmirësuar fjalorin, nuk ka asnjë metodë tjetër përpos të lexuarit. Përvetësimi i shprehjeve njëherësh përvetësimi i mendimeve të thukëta nga autorë të mëdhenj, qoftë shqiptarë apo botërorë, sigurohet vetëm përmes të lexuarit. Mungesa e komunikimit të të rinjve me librin, ka bërë që fjalori i tyre të jetë mbase jo i dobët, por shumë i dobët, krahasuar me kohën e mëparshme kur lexohej shumë më shumë”, vlerëson profesori Mustafa.