Ndërlidhjet

Bilanci negativ tregtar ngufat ekonominë


Ilustrim
Ilustrim

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për një rënie të lehtë të importeve, por që kjo rënie nuk arrin të përmirësojë deficitin e lartë tregtar që ka Kosova tani e sa vite.

Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, importet kapin shifrën e rreth 500 milionë euro, përderisa eksporti vazhdon të mbetet mjaft i ulët dhe atë vetëm rreth 70 milionë euro.

Për ekspertë të çështjeve ekonomike këta të dhëna janë mjaft shqetësuese për ekonomin e një vendi.

Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova nuk mund të vazhdojë më trendin e njëjtë edhe në vitet e ardhshme, pasi që kjo do të ndikojë në ngufatjen e ekonomisë vendore.

“Vlera e eksportit është shumë e ulët, ku kryesisht kemi eksport të metaleve të Ferronikelit dhe të disa produkte bujqësore, që nuk e mbulon as 10 për qind të importeve të përgjithshëm në vitin 2014. Kjo është shumë serioze, Kosova nuk mund të vazhdojë me trendin e njëjtë edhe në vitet e ardhshme, sepse kjo do të ndikojë në ngufatjen e ekonomisë vendore”, shton Bektashi.

Kosova, tani e sa vite është shndërruar në treg konsumues, duke importuar mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme.

Deficiti tregtar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2013 arriti në mbi 2 miliardë euro.

Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, pasur nga Gjermania, Turqia, Italia, Kina, Greqia, Maqedonia e vende të tjera.

Niveli i lartë i importeve, sipas Mejdi Bektashi është pasojë e nivelit të ulët të prodhimit në Kosovë.

“Problemi kryesor qëndron në mos pasjen e prodhimit respektivisht mos aktivizimit të kapaciteteve prodhuese, qoftë në sektorin primar apo atë industrial që faktikisht po shkakton import shumë të madh të produkteve elementare në Kosovë”, tregon Bektashi.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë fajin për deficitin e lartë tregtarë ia hedhin institucioneve.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, politikat fiskale nuk kanë qenë asnjëherë në favor të prodhimtarisë.

“Politikat aktuale fiskale të dizajnuara që nga pas lufta janë të dizajnuar në mënyrën më të keqen të mundshme dhe si të tilla kanë rrezikuar nga viti në vit ekonominë e vendit me deficit të madh tregtar dhe varje të konsumit nga import, kjo e ka bërë që Kosova të jetë vend konsumues”, shton Shahini.

Derisa politikat fiskale shton Shahini janë të njëjta sikurse për lëndë të parë, ashtu edhe për produkt të gatshme nuk mund të zhvillohet sektori i prodhimit.

“Edhe pse ka pasur disa nisma për reforma të politikave fiskale në favor të prodhimtarisë vendore këto nuk kanë qenë të mjaftueshme. Kosova varet nga importi i disa produkteve të cilat mund të prodhohen brenda vendit”, tregon Shahini.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG