Ndërlidhjet

Miliona euro për lëndën e parë – arsye e falimentimit


Fermer në Kosovë...
Fermer në Kosovë...
"Do të ketë ndryshim në politikat fiskale për bizneset private, do të ketë lehtësira në këtë kuadër, bizneset do të jenë konkurrente më partneret e tyre rajonal".

Këto fraza vazhdimisht përsëriten nga autoritet kompetente, e posaçërisht më të dëgjuara kanë qenë në kohën e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 8 qershorit.

Por, realiteti duket rrugë e vështirë për realizimin e krijimit të lehtësirave për biznese, thonë afaristë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, normat e larta të interesit, taksat doganore për lëndën e parë, financimi i vështirë për bizneset janë vetëm disa nga shumë vështirësi që pengojnë punën e biznesit vendor.

Pavarësisht deklarimeve, kompanitë prodhuese paguajnë shuma të mëdha materiale për lëndën e parë.

Kompania për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka, vetëm për sigurimin e lëndës se parë nga importi i jashtëm dhe ai vendor, në vitin 2013 është dashur të paguajë mbi 5 milionë e 700 mijë euro.

Ndërkaq, deri në muajin maj të këtij viti, vlera e blerjeve për lenden e parë arrin mbi 2 milionë euro, thotë për Radion Evropa e Lirë Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”.

Ai thotë se mbi 1.4 milion euro ka paguar për sigurimin e lëndës së parë nga importi i jashtëm, kurse mbi 600 mijë euro nga ai vendor.

Palushi, megjithatë, thotë se viteve të fundit janë bërë disa ndryshime pozitive sa i përket politikave fiskale, por kërkesat e prodhuesve janë për ndryshime shumë më substanciale.

"Ajo që është barrë për ne, është pagesa e detyrimeve të taksës doganore për një pjesë të lëndës së parë e cila vazhdon të paguhet. Janë bërë disa ndryshime, siç është lirimi për ambalazh dhe për linjat prodhuese. Mirëpo, vazhdon të paguhet për shumicën e lëndës së parë që përdorët për prodhim final të kompanisë sonë”, thotë Palushi.

Ndërkaq, subjektet ekonomike, që vazhdimisht kanë ngritur zërin për përmirësim të politikave fiskale, thonë se për shkak të zbatimit të këtyre politikave, ka kompani që edhe kanë falimentuar.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë thotë se shumë biznese kanë humbur fuqinë konkurruese për shkak të politikave jo të favorshme në Kosovë.

“Ka shumë biznese që janë mbyllur, një pjesë e tyre janë para falimentimit, kurse pjesa tjetër po qëndron duke shpresuar se nesër do të vjen një ditë më e mirë për ta. Dhe shume biznese paguajnë miliona euro taksa për lëndë të parë, gjë që në asnjë vend të rajonit, të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian nuk paguajnë taksë për lëndë të parë”, shprehet Shahini.

Sidoqoftë, udhëheqës të Ministrisë së Financave, kanë paralajmëruar se do të aprovojnë dokumentin e lehtësirave për investime në Kosovë.

Në një të ardhme të afërt, ata kanë thënë se do të mundësohet që të gjitha lëndët e para, por edhe pajisjet do të hiqen nga lista e produkteve për të cilat duhet të paguhen taksë doganore.

Por, megjithatë, autoritetet kompetente janë të angazhuara për trajtim të barabartë në mes sektorëve potencial ekonomik, duke bërë përpjekje që lëndët e para të liruara të prekin në mënyrë të balancuar të gjithë sektorët ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG