Ndërlidhjet

Bizneset kosovare, shkelëse të etikës


Ilustrim
Ilustrim
Jo rrallë herë ndodh që kompanitë kosovare shkelin etikën në biznes. Problemet që vetë ata i raportojnë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të bizneseve, kanë të bëjnë me mungesë të etikës dhe respektim të rregullave.

Qëndrimet e bizneseve në raport me kontratat, marrëveshjet dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka pasur raste kur kompanitë kanë shkelur etikën.

Sipas tij, kompanitë e mëdha, të cilat kanë vizion për të ardhmen dhe strategji për zhvillimin e biznesit, janë ato që respektojnë më shumë etikën e biznesit, por shkelësit më të mëdhenj, siç thekson Shahini, konsiderohet të jenë bizneset e vogla.

“Bizneset, të cilat kanë një traditë të mirë, një vizion për të ardhmen, kanë bërë strategji për zhvillimin e biznesit tyre, ku biznes i tyre nuk do të mund të zhvillohej pa një etikë në biznes, por endet mbetet sfidë për bizneset e vogla, të cilat pak financojnë edhe në stafin e vet, edhe vetveten si pronarë që të ndjekin qoftë seminar, qoftë specializime për etikën në biznes. Në shumë vende të botës kompanitë e fuqishme i dërgojnë punëtorët në trajnime të ndryshme që etika në biznes të jetë në nivelin e duhur për të zhvilluar veprimtarinë”, thekson Shahini.

Opinioni i shoqërisë në Kosovë mbi nivelin e etikës së bizneseve në vend, nuk është aspak i mirë, Shumë herë mund të dëgjosh në publik se bizneset shkelin të drejtat e qytetarit, punëtorit, bashkëpunëtorët apo konsumatorët.

Te një vlerësim i tillë, thuhet të kenë ardhur për faktin se edhe qytetari i Kosovës nuk ka një kulturë që t’i lexojë kontratat kur lidh me kompaninë apo biznesin.

Megjithatë, shumë herë ndodh që edhe biznesi ia servon qytetarit apo konsumatorit një kontratë pa i treguar për pasojat e saj.

Opinioni i përgjithshëm, sipas Agim Shahinit, është i drejtë, pasi që biznesi sot në Kosovë në shumë raste ndërmerr sjellje që jo domosdo janë të mira, pa dashur të nënvlerësohen bizneset që kanë sjellje, etikë profesionale.

“Bizneset tashmë janë duke e kuptuar se etika e kompanisë mund të shkelet edhe atëherë kur nuk respektohet kontrata, edhe atëherë kur nuk respektohet e drejta e punëtorit, por njëkohësisht është edhe etika e punëtorit, kur nuk respekton kontratën apo ligjin që rregullon marrëveshjen ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit”, shton Shahini.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Havolli në një prononcim dërguar Radios Evropa e Lirë nëpërmjet postës elektronike, vlerëson se zhvillimet e shpejta, si dhe funksionimi i institucioneve dhe politikave të tyre, ka krijuar hapësirë për sjellje, e cila në shumë raste ,siç thotë ai, ka ndodhur të mos jetë konform rregullave dhe normave socio-ekonomike në vend.

“Zhvillimet në Kosovë dhe në rajon në procesin e tranzicionit ishin tejet dinamike duke bërë që aktiviteti i institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve të jetë mjaft komplekse, shpesh edhe jo miqësor ndërmjet vete. Transformimet kanë qenë mjaft të shpejta dhe duke qenë se edhe sistemi ka ndryshuar mjaft shumë. Si rrjedhojë edhe biznesi ka tentuar t’i adoptohet këtyre ndryshimeve për të realizuar veprimtarinë e tyre”
, vlerëson për Radion Evropa Lirë, profesor Havolli.

Veprimet dhe sjelljet e agjentëve ekonomikë në këto rrethana, sipas Havollit, më tepër i takojnë natyrës së sjelljes ad hoc, konform zhvillimeve tjera, se sa një sjelljeje, e cila është konsistente me politikat ekonomike, që gjithashtu janë ballafaquar me mungesat e tyre.

Në këtë dinamizëm, dëshira për përfitime shkaktojnë probleme në treg duke rezultuar edhe në shkelje të rregullave, si rezultat i mungesës së kapaciteteve për kujdesej institucionale ndaj rregullave të përcaktuara.

Përveç problemeve, shton profesor Havolli, gjatë kësaj periudhe është krijuar infrastruktura legale për të krijuar ambient të njëjtë për të gjithë agjentët ekonomikë, mirëpo, implementimi i shumë prej rregullave të caktuara, shpesh ballafaqohet me ngecje.

“Aspiratat e bizneseve në Kosovë, por edhe gjetiu, mund të realizohen në mënyrë të ngjashme pasi që konkurrenca jolojale, evazioni fiskal, por edhe trajtimi i konsumatorëve vetvetiu bëhet normë. Kjo nënkupton se biznesi i përshtatet ambientit, si i mirë si i keq, prandaj duhet që institucionet të orientohen në drejtim të implementimit më strikt të rregullave”, bën të ditur Havolli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG