Ndërlidhjet

Tregtia më e preferuar sesa prodhimtaria


Ilustrim
Ilustrim
Tregtia mbetet aktiviteti më i preferuar në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e katërt të vitit 2013, janë regjistruar 1,805 ndërmarrje, prej tyre 559 janë ndërmarrje tregtare.

Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, konsiderojnë se tregtia nuk mund të jetë më e leverdishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës se sa prodhimtaria, e cila në Kosovë mbetet sektori më i pazhvilluara.

Tregtia, sipas tyre, mbetet atraktive në Kosovë për shkak se politikat zhvillimore ekonomike të vendit janë të orientuara në favor të këtij sektori më shumë se sa në prodhim.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se përderisa Kosova ka politika të njëjta ekonomike, si për prodhim, ashtu edhe për tregti, vështirë se dikush nga bizneset vendos të merret me prodhim.

“Kosova dhe politikat e saj të zhvillimit ekonomik janë të orientuara më shumë nga tregtia dhe shërbimet sesa nga sektori i prodhimtarisë, i cili mbetet sektori më i pazhvilluar në Kosovë. Më i pazhvilluar pasi që kemi më shumë se 90 për qind të kompanive janë kompani tregtare dhe shërbyese, derisa një numër i vogël - kompani prodhuese. Kjo po i dërgon investitorët, edhe të huaj, edhe kosovarë, në zhvillimin e tregtisë dhe jo kah prodhimtaria”, thotë Shahini.

Prodhuesit në Kosovë, shton Shahini, janë në gjendje të rëndë dhe mjaft diskriminuese karshi kompanive, të cilat eksportojnë.

Sipas tij, pavarësisht reformave të bëra, ende mbetet shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të përkrahet biznesi vendor.

Ende prodhimi paguan taksa në kufi, si lëndë e parë ashtu si me qenë produkt i gatshëm, dhe duhet t’i paguajë të gjitha taksat në kufi - gjë që i jep përparësi blej-shit dhe fito, dhe jo blej-prodho-punëso dhe fito. Të gjithë biznesmenët kosovarë e shohin mundësinë më të shkurtë për të ardhur te përfitimi nga tregtia”, thekson Shahini.

Për vite me radhë prodhuesit kosovarë kanë kërkuar një pako stimuluese fiskale, e cila do të krijonte lehtësi të caktuara për bizneset, siç janë lirimi i pagesës nga doganat për lëndën e parë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe lehtësi tjera, por që deri më tani kërkesat e tyre thonë disa nga prodhuesit, nuk janë futur në ndonjërën nga këto pako fiskale që Qeveria e Kosovës i ka miratuar deri më tani.

Prodhuesit kosovarë kanë theksuar se përderisa nuk bëhen ndryshime në këtë qasje, Kosova do të varet në vazhdimësi nga importi.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk duhet të fokusohet vetëm në shërbime tregtare apo importe, por duhet të zhvillohen kapacitetet e brendshme të prodhimit.

“Ne, si OEAK, gjithmonë kemi thënë se meqë kjo nuk është rruga përpara për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, nuk duhet të bazohemi vetëm në tregti, apo importe, por duhet të zhvillohet prodhimi. Duhet të nisemi me programe apo politika që mbështesin prodhuesit vendor”, vlerëson Zeka.

Gjatë vitit 2013, Ministria e Financave kishte ndërmarrë disa reforma fiskale, të cilat pritet të zbatohen në vitin 2014. Por, zbatimin e këtyre reformave po e pengon mosmiratimi i Ligjit për Lirime Doganore.

Me miratimin e këtij ligji, pritet të lirohet një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para dhe makinerisë, nga taksa doganore prej 10 për qind.

Lista e lirimeve doganore të propozuara, kryesisht ka të bëjë me produkte që përdoren si lëndë e parë në prodhim në industritë përpunuese, si ajo ushqimore, e letrës, tekstilit, metaleve, plastikës, drurit, detergjenteve, teknologjisë informative, ndërtimtari dhe industri tjera përpunuese, produkte këto që nuk prodhohen në Kosovë dhe në të njëjtën kohë paraqesin sektorët kryesorë ekonomikë të zhvilluar në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG