Ndërlidhjet

Qetësi e brishtë në Mitrovicë


Mitrovicë
Mitrovicë
Situata në qytetin e Mitrovicës, ditën e hënë, është e qetë, pas protestës së ditës së dielë, në anën jugore pranë urës qendrore mbi lumin Ibër, ku ishin përplasur protestuesit dhe pjesëtarët e forcave të rendit.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, dje kanë deklaruar se 13 pjesëtarë të policisë janë lënduar gjatë përplasjes me protestuesit, ndërkaq që 13 persona janë arrestuar nga organet e rendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës nga komanda në jug të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për Radion Evropa Lirë se gjatë orëve të natës nuk ka pasur ndonjë incident që mund të ndërlidhet me zhvillimet e ditës së diel pranë urës qendrore mbi lumit Ibër.

“Në tërësi, nata ka kaluar e qetë prej zhvillimeve të ditës së djeshme pasdite. Nuk ka pasur ndonjë incident apo ndonjë reflektim që do të mund të ndërlidhej me zhvillimet e pasdites së djeshme".

"Ndryshe, të dhënat shifrore janë të njëjta me ato që dje i kemi bërë publike, me përjashtim që një ndryshim është tek personat e arrestuar. Mbrëmë i kemi pasur 13 të arrestuar, ndërsa më vonë, pas procedurave, tre nga ta janë liruar, ndërsa 10 janë në ndalim policor me urdhër të prokurorit”
, thotë Zahiti.

Ai ka shtuar se dita e sotme po kalon e qetë, ndërkohë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, vazhdojnë të jenë të pranishëm pranë urës qendrore mbi lumin Ibër.

“Sa i përket ditës së sotme, është qetësi dhe gjithçka është nën kontroll. Nuk kemi ndonjë indikacion për ndonjë reagim apo ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm. Që nga dje, aty janë të pozicionuar KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, mirëpo janë në atë masë sa ne e vlerësojmë se janë të nevojshëm për çdo eventualitet”, shprehet Zahiti.

Ndryshe, përplasja e djeshme e protestuesve me pjesëtarët e Policisë së Kosovës ka ndodhur gjatë protestës, e cila ishte thirrur nga një grup qytetarësh dhe ishte paralajmëruar si protestë e qetë.

Ajo ishte organizuar për të kundërshtuar rivendosjen mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, të barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”.

Kjo barrikadë ishe rivendosur nga ana e autoriteteve komunale të Mitrovicës së Veriut, në praninë e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë.

Sipas komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Farina, përpjekja kryesore ishte që të evitohet përleshja ndëretnike dhe përshkallëzimi i dhunës.

Njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë vlerësojnë se ngjarja e ditës së diel në Mitrovicë vërteton se situata e sigurisë në pjesën veriore të vendit është ende e brishtë dhe nuk japin për të besuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po e garantojnë sigurinë atje.

Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Siguri vlerëson se rivënia e barrikadës mbi urën qendrore mbi lumin Ibër është çështje krejtësisht politike e iniciuar nga Beogradi zyrtar.

“Tashmë dihet që ndikim të madh, në këtë proces dhe në këto që po ndodhin në veri, ka njeriu më i fuqishëm në Serbi, Aleksandar Vuçiq, i cili është kryeministër i Serbisë. Konsideroj që ai është në pozicion që të përmirësoj situatën, nëse ka disponim që të tërhiqet barrikada, si dhe është edhe në pozicion që të mbajë situatën e tensionuar, ashtu siç është".

"Mendoj se ‘topi’ është te Beogradi dhe presioni ndërkombëtarë duhet të jetë i tillë që të bindet Vuçiqi që të mos bëjë provokime të tilla, sepse nuk mund të paramendohet rivendosja e barrikadës pa një pëlqim, të themi, të heshtur nga ana e këtij personi, në këtë rast kryeministri i Serbisë”
, shprehet Qehaja.

Në anën tjetër, zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga protestat e dhunshme, duke theksuar se barrikadat do të largohen së shpejti.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate ka theksuar se problemi i Mitrovicës nuk zgjidhet me dhunë, dhe se qytetarët duhet të përmbahen ngase barrikada do të largohet së shpejti.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe Qeveria në largim e Kosovës, e cila ka siguruar qytetarët se barrikadat e reja mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejtë dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.

Zyrtarë të kësaj qeverie kanë deklaruar se në qoftë se Brukseli nuk ndërmerr masa për largimin e barrikadës, atëherë institucionet e Kosovës do të ushtrojnë kompetencat ligjore për të heqjen e barrikadës.

Por, Qehaja shpreh dyshimin se Qeveria në largim e Kosovës, mund të heq barrikadën pa ndihmën ndërkombëtare.

“Unë dyshoj që Qeveria e Kosovës ka kapacitet dhe vullnet, që në këtë situatë politike që e kemi, të bëj një veprim të tillë. Mendoj se momentumi është krejtësisht i panevojshëm".

"Tashmë, se si erdhi deri te ajo që pas 3 vjetësh të riaktualizohet çështja e barrikadës në këtë formë, lind shumë dilema lidhur me këtë. Por, çka mund të them, ky momentum mund të shfrytëzohet nga qarqet anti Kosovë dhe mund të shfrytëzohet edhe për çështje politike, por edhe ekonomike, sepse dikujt mund t’i interesoj brishtësia në aspektin e sigurisë në atë pjesë”
, thotë Qehaja.

Qehaja gjithashtu ka thënë se me çështjen e heqjes së barrikadës duhet të merret qeveria e ardhshme e vendit, e cila pritet të formohet dhe ajo të bëjë presion me afate tek prania ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Qehaja e ka vlerësuar mjaft profesional reagimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë protestës së ditës së diel në Mitrovicë, e cila kishte rolin e nivelit të parë të reagimit.

Por, sipas tij, ka qenë e dukshme që pjesëtarët e policisë së EULEX-it, që kanë rolin e nivelit të dytë të reagimit, kanë qenë të përzier me radhët e Policisë së Kosovës.

Kjo situatë, sipas tij, krijon dilema në aspektin e llogaridhënies, në rast shkeljesh të përgjegjësive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG