Ndërlidhjet

Live Blog: PDK fiton shumicën e votave

- Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 8 qershor. Ndonëse në një konkurrencë më të ashpër me partitë opozitare, duket se mungesa e një fronti opozitar dhe garimi i opozitës si parti veç e veç e ka ndihmuar PDK-në e Hashim Thaçit që sërish t'i fitojë zgjedhjet parlamentare, duke marrë kështu edhe rastin për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

- Para se KQZ të publikonte rezultatet preliminare, PDK ka shpallur fitoren e saj.

- Diku nga mesnata Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e saj në Prishtinë. Aty lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka ri-theksuar se partia e tij i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Ai ka lavdëruar procesin dhe ka shprehur besimin se këto zgjedhje do të vlerësohen me notë të lartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
09:36 9.6.2014


Analistë të çështjeve politike thonë për Radion Evropa e Lirë se procesi zgjedhor i 9 qershor mund të cilësohet si "dhënie e testit të demokracisë".

Në këtë kuadër, Ismail Hasani, ka thënë se "Kosova shihet se ka avancime në pikëpamje të organizimit të procesit zgjedhor. Mendoj se si proces ka shkuar mirë dhe është mirë që Kosova të vlerësohet për këtë nga faktori ndërkombëtar”.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika tha se ishte "një proces shumë më i mirë se ai i vitit 2010 dhe një proces edhe më i mirë se ai i nëntorit të vitit 2013, me disa pengesa të vogla".
10:04 9.6.2014

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe sipas të dhënave të këtij subjekti, kanë votuar rreth 53 mijë serbë në gjithë Kosovën, prej të cilëve 15 mijë e 327 nga katër komunat e veriut të vendit.

"Në qoftë se në Kuvendin e Kosovës ndahen mandatet sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, për çka ne edhe do të insistojmë, gjithsesi që presim numër më të madh të mandateve se sa ai që është i garantuar me këtë ligj. Do të thotë, në çdo rast, do të jenë më shumë se 10 mandate. Por, se sa do të jetë ky numër, do të dihet pas shpalljes së rezultateve zyrtare”, thotë Jabllanoviq.
10:19 9.6.2014

"“Kemi qenë dëshmitarë të një operacioni të mirë zgjedhor, të realizuar në mënyrë profesionale. Nuk janë raportuar incidente apo parregullsi të mëdha. Kjo është një arritje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për votuesit,” citohet të ketë thënë Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, në një komunikatë të kësaj organizate.

OSBE-ja ka përkrahur procesin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
11:22 9.6.2014

Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë se “materiali zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po vazhdon të pranohet sipas dinamikës së paraparë".

“Në orët e pasdites pritet të përfundojë i gjithë regjistrimi i materialeve të procesit zgjedhor nga komunat e Kosovës”, tha Halimi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG