Ndërlidhjet

Masa të rrepta për shkelësit e ligjit


Autoritet e drejtësisë, thonë se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të jenë fer, të drejta dhe demokratike.

Në Kryeprokurorinë e Shtetit, deklarojnë se janë nënshkruar shumë memorandume bashkëpunimi me mekanizmat kryesorë që do të jenë përgjegjës për procesin zgjedhor.

Laura Pula, prokurore në Kryeprokurorinë e Shtetit, theksoi për Radion Evropa e Lirë, se ata persona të cilët mendojnë se do të mund të manipulojnë me votat e zgjedhjeve të 8 qershorit, gabohen rëndë.

“Nuk do të kemi tolerancë. Këtë herë meqë zgjedhjet parlamentare janë zgjedhje edhe më të rëndësishme se zgjedhjet lokale, jemi të mobilizuar me qëllimin më të mirë që ta ruajmë votën e qytetarit dhe në njëfarë mënyre të bëjmë parandalimin e të gjithë atyre që bien në kundërshtim më dispozitat e ligjit në fuqi kundër të drejtës së votimit”, tha prokurorja Pula.

Ajo tha se të gjithë ata persona që do të tentojnë të manipulojnë më vota apo tentojnë të kryejnë ndonjë vepër penale në kundërshtim me atë që thuhet në kapitulli i veçantë të Kodit Penal, mbi të drejtat e votimit, të njëjtit menjëherë do të ndalohen dhe do të burgosen.

“Në Kodin Penal, i kemi diku 11 vepra penale mbi të drejtat e votimit të cilat vepra variojnë dënimet prej mënyrës së kryerjes së tyre”, tha prokurorja Pula, duke bërë të ditur se në ditë e zgjedhjeve do të angazhohen mbi 100 prokurorë dhe më shumë se 300 persona të tjerë, staf civil i prokurorive.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani thotë se në PZAP, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë fushatës parazgjedhore do të shqyrtohen ankesat që do të shkojnë në institucionin që kryeson.

Sylejmani tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë person i cili kapet duke manipuluar me votat, nuk do të mund t’i ikë dënimit që e meriton.

“Me ligjin mbi zgjedhjet, dënimi maksimal është i paraparë me shumën prej 50 mijë euro. Bazuar në praktiken të cilën e ka të formuar ky institucion ne më atë lartësi (dënimi) nuk kemi shqiptuar asnjëherë, mirëpo, kemi shqiptuar gjoba mjaft të larta. Ne kemi edhe rregulloren për kategorizimin e gjobave sipas së cilës gjobat për subjektet politike dhe partitë e ndryshme politike fillojnë prej 5,100 euro e lart”, tha Sylejmani.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, kanë bërë thirrje që zgjedhjet parlamentare në Kosovës të jenë të qeta dhe demokratike.

Ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson ka thënë para pak ditësh se zgjedhjet duhet të jenë të lira, transparente dhe fer.

Ajo ka deklaruar se një proces zgjedhor i drejtë, do të avancojë demokracinë e Kosovës, dhe do ta shtojë suksesin e shënuar, sikur që ka ndodhur me zgjedhjet lokale.

Procesin zgjedhor, të 8 qershorit në Kosovë, pritet ta monitorojnë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG