Për shumë të rinj në Kosovë, braktisja e vendit dhe migrimi në një vend tjetër evropian, shihet si shtegdalje dhe ikje nga, siç e quajnë ata, joperspektiva në vendin ku jetojnë.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata vlerësojnë se janë një mori shkaqesh që i motivojnë për t’ia mësyrë migrimit, në rast se do t’u jepej mundësia për një gjë të tillë.
Ymredin Piraj thotë se është student dhe njëkohësisht edhe punon për t’i financuar studimet e tij. Por, siç thotë ai, po t’i jepej rasti për të migruar kudo qoftë në perëndim, këtë do ta bënte pa u hamendur.
“Kudo që më jepet mundësia, vetëm jashtë Kosovës, në Evropë diku. Absolutisht po, nëse më jepet një mundësi më e vogla, unë do të kisha dalë jashtë. Për shumë arsye... rrogat e vogla, papunësi e madhe, ligjet s’respektohen, pasiguri.... Në të gjitha anët e ke katastrofë, keq. Nuk ia vlen të jetosh në Kosovë, e absolutisht për të rinjtë. Nuk ka punë, nuk ka perspektivë për të rinjtë. Veç me korrupsion, me të njohur? Nuk ia vlen. Humbje kohe është të jetosh në Kosovë”, shprehet Ymredini.
Flamur Haxholli, një i ri tjetër, thotë se i ka ndërprerë studimet, për faktin se, sipas tij, edhe ata që përfundojnë studimet, vështirë se gjejnë punë. Kjo edhe është arsyeja që ai po përpiqet të aplikojë për vizë për të migruar në Kanada:
“Do të aplikoj dhe nuk di... kësmet, të shkoj që të punoj, për ta krijuar një bazë dhe të kthehem në Kosovë ku do ta kem atë bazë të sigurt. Për momentin, në Kosovë nuk ke zgjidhje afatgjate. Në Kosovë mund të jetosh vetëm dita-ditës, por nëse mendon të krijosh familje ose të kesh familje të mirëqenë, nuk mendoj se 200 euro janë pagë, me të cilat mund të mbash një familje. Madje as 500 euro. Unë, personalisht, më duhet të mendoj që të bëj shtëpinë ose banesën, por edhe të gjitha duhet t’i bëj vetë. Për këtë nuk shoh zgjidhje në Kosovë”.
Myrvete Sejdiu, një e re, tregon se ka ndërprerë studimet dhe tash punon, siç thotë ajo, me një zanat. Për të mbetet pikëpyetje nëse do të ikte nga vendi në rast se do t’i jepej mundësia, por ajo thotë se i kupton të rinjtë që ia mësyjnë migrimit.
“Shkaku i kushteve... Duan t’i rregullojnë kushtet, sepse punë s’ka. Dikush mbase edhe nuk dëshiron të bëjë çfarëdo pune dhe kërkojnë më tepër”, thotë Myrvetja.
Fatron Morina, student në Kolegjin privat “Iliria” në Prishtinë, thotë se në rast se do t’i jepej mundësia për të migruar në ndonjë vend perëndimor, këtë do ta bënte menjëherë.
“Po të më vinte mundësia, do të kisha dalë të punoj për një të ardhme më të mirë. Në Evropë, diku, ka më shumë punë se këtu. Këtu e kryen fakultetin dhe nuk gjen punë. Ka shumë që e kanë kryer fakultetin dhe nuk kanë punë. Jashtë, merresh me punë të tjera, por puna paguhet më shumë se këtu. Atë punë që e bën këtu për pak para, atje paguhet më shumë”, pohon Fatroni.
Labinot Dabiqi, student në Fakultetin Juridik, thotë se për të gjithçka do të varet nga mundësia e gjetjes së punës pas përfundimit të studimeve:
“Tash për tash jam student dhe nuk i kam menduar ende këto gjëra, por nuk i dihet. Pas diplomimit, nëse nuk kam të ardhura më të mira, atëherë po, do t’ia mësyj si shumë të tjerë. Arsyet janë papunësia e madhe, nevojat familjare, për një të ardhme më të mirë. Këtu nuk arrihen. Ka pasiguri. Është shumë më vështirë për një të ri. Edhe sistemi i edukimit është më i ulët, në krahasim me vendet evropiane dhe të tjera”.
Në anën tjetër, ka edhe të rinj që mendojnë ndryshe. Afërdita Hoti studion në Fakultetin e Edukimit. Ajo nuk pajtohet me dëshirën e të rinjve për të migruar jashtë vendit, por, megjithatë i kupton shkaqet që i shtyjnë ata në këtë drejtim.
“Studioj dhe punoj. Nuk mund ta paramendoj jetën në një vend tjetër. Por, gjithë rinia, për shkak të kushteve ekonomike, detyrohet në këtë drejtim. Detyrohen, prej pamundësisë për të studiuar, për të gjetur punë dhe për ta bërë një jetë mesatare. Për këtë arsye ia mësyjnë migrimit. Nuk kisha thënë për diçka tjetër, sepse vendi yt është më i bukur se gjithë të tjerët”, thotë Afërdita.
Uran Dushullovci thotë se ai ka jetuar një kohë në migrim dhe është kthyer. Ai tashmë e ka një biznes të vogël familjar dhe nuk sheh arsye pse duhet menduar për të shkuar që të jetojë jashtë vendit.
“Nuk kisha dalë jashtë, sepse punoj. Edhe vëllezërit e mi punojnë. Nuk kisha pasur qejf të dal, thjesht edhe për shkakun se nesër-pasnesër do të bëhesha me fëmijë dhe nuk do të kisha dashur që ta harrojnë shqipen. Unë jam kthyer nga jashtë. Megjithatë, këtu është më mirë”, shprehet i vendosur Urani.