Ndërlidhjet

Fakultet apo zanat?


Ilustrim
Ilustrim

Të gjithë preferojnë të studiojnë dhe të diplomohen në ndonjërin nga fakultetet që ata zgjedhin në Universitetin Publik apo në kolegjet private në Kosovë, nuk preferojnë shkollimet profesionale apo trajnimet që ofrojnë institucionet kompetente në vend.

Në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë flasin për arsyet se pse kanë zgjedhur të studiojnë dhe jo të aftësohen në ndonjë punë zanati. Sipas tyre, përgatitja më e lartë shkollore është më e mirë se sa aftësimi në një profesion të caktuar.

Arta Gërxhaliu është studente e vitit të tretë në njërin nga kolegjet private në Prishtinë. Thotë të ketë zgjedhur të studiojë, pasi që nuk preferon ndonjë zanat.

“Për mua më e preferueshme është të studioj sesa të aftësohem në ndonjë punë zanati. Edhe pse më lehtë është të punësohesh diku nëse ke një zanat sesa nëse je e diplomuar në një fakultet, por që fakultetit është tjetër, ka nivel më të lartë sesa zanati”, shprehet Arta.

Interesimi i të rinjve për t’u regjistruara në fakultete ka qenë mjaft i madh edhe në vitin e kaluar akademik, ku ishin regjistruar rreth 12 mijë studentë. Fakultetet që më së shumti kishte pasur interesim nga të rinjtë ishin Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe ai i Edukimit.

Nisur nga kjo, përfaqësues të bizneseve vazhdimisht kishin kërkuar nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.

Në Kosovë ka mungesë të shumë profesioneve që i kërkon tregu i punës dhe ato punë vazhdojnë t’i kryejnë persona të pakualifikuar.

Sidoqoftë, të rinjtë e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë janë të vetëdijshëm se më aftësimin e tyre në ndonjë punë zanati do të kishin shumë më lehtë të gjejnë punë, po se gjithsesi preferojnë fakultetet.

Ajshe Pantina studion për Banka dhe financa në një kolegj privat në Prishtinë. Ajo thotë se tani më është krijuar një bindje në opinion publik se gjithsesi duhet ta përfundosh një fakultet, pasi që konsiderohesh më i ngritur.

“Mendoj se më mirë është të ndjekësh studimet edhe pse tani mund ta përfundosh fakultetin, por nuk gjen punë, derisa me zanat e ke më lehtë. Por, unë mendoj se me fakultet bëhesh më i aftë”, konsideron ajo.

Edhe Artan Berisha mendon se fakulteti ka më shumë perspektivë në Kosovë se aftësimi në ndonjë zanat.

“Mendoj që në Kosovë ka më shumë perspektivë fakulteti dhe mund të gjesh punë më lehtë sesa me punë zanati”, shprehet Artani.

Trajnime profesionale për të papunësuarit, të cilët paraqiten në qendrat e punësimit në Kosovë, ofron Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Divizioni për Aftësim Profesional në kuadër të kësaj ministrie zhvillon politika për aftësim profesional në harmoni me kërkesat e tregut të punës.

Aty ofrohen trajnime falas në 28 profesione të zgjedhura në bazë të analizës së tregut të punës, që organizohen në 56 punëtori.

Në të gjitha zyrat e punësimit në Kosovë, deri më tani janë të evidentuar mbi 350 mijë punëkërkues. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është 39 deri 41 për qind, shkalla e papunësisë më e madhe është te femrat me rreth 53- 59 për qind, derisa të pakualifikuar janë rreth 60 për qind.

Për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë persona, ndërsa tregu i punës absorbon vetëm 6 mijë sosh. Të punësuar në Kosovë janë 400 mijë qytetarë.

Numri i studentëve të diplomuar, të cilët nuk arrijnë të gjejnë punë është mjaft i madh. Behare Pllana thotë se për krijimin e vendeve të reja të punës, duhet të mendojnë institucionet e Kosovës.

“Besoj se çdo i ri ka dëshirë të shkollohet dhe pas shkollimit të presë një punë profesionale në profesionin e vet. Nuk po ka vende të reja të punës për këtë duhet të mendojë shteti, por kryesorja për ta është shkollimi, mandej shteti duhet t’i ofrojë punësim”, thekson Beharja.

Arbona Sinani nuk e mohon faktin se shkollimi është i domosdoshëm për një të ri, por që puna e zanatit është diçka që në Kosovë po krijon më shumë të ardhura dhe punësim më të lehtë.

“Për shkak të krizës së punësimit në Kosovë, zanati është primar, shkollimi është në rend të parë, por që me një punë zanati nëse e ke, do të kesh të ardhura më të sigurta”, shton Arbona.
XS
SM
MD
LG