Ndërlidhjet

A do të paguajë Kosova për zhvarrimet?


Rudnicë
Rudnicë
“Dorëza për një përdorim; karroca ndihmëse për bartjen e dheut, kamion frigorifer, sita, pëlhurë, syze, pajisje të laboratorit, buxheti për pajisje totali 30 mijë”...

Kushtrim Gara, që është shef i njësisë qeveritare për personat e pagjetur, po numëron detajet e kërkesave që ka bërë delegacioni serb për t’ia rinisur punët në Rudnicë.

Dhjetëra shqiptarë të Kosovës dyshohet që pasi janë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në vitin 1999, janë vendosur në këtë lokacion që gjendet përtej kufirit verior, në Serbi.

Më 13 dhjetor, të vitit të kaluar, është konfirmuar dyshimi se në këtë vend, janë hedhur trupat e pajetë të shqiptarëve, kurse ekipet mjeko-ligjore, serbe e shqiptare, gjetën mbetjet e të paktën gjashtë viktimave të luftës.

Me kërkesë të palës serbe, punët u ndërprenë me kaq, për shkak të motit të lig, por edhe “festave të fundvitit”.

Pas 11 javësh, punët nuk dalin të jenë të qarta se si do të vazhdohet tutje me zhvarrosjet.

Pengesa e parë del të jetë projekt-propozimi për punët teknike, që pala serbe pretendon se do të kushtojnë afro 300 mijë euro.

“Pala serbe ka paraqitur një projekt-propozim mbi shpenzimet që do të merr rasti i Rashkës, që kap shumën mbi 290 mijë euro”, thotë Gara.

“Unë nuk e di...është një projekt, që kur e kemi marrë prej institucioneve të Serbisë, të paktën unë personalisht, kam pritur që këto detaje, nuk kam për t'i parë në një projekt të tillë. Pritjet e mia kanë qenë që do të jetë një projekt më serioz, në kuptimin e arsyeshmërisë”, thotë Gara.

Tani pala kosovare është duke u menduar se si t’ia bëjë tutje.

Një pjesë të itinerarit thotë se mund ta gjejë, të tillë që po kërkohet në propozimin që ka dorëzuar pala serbe për të nisur punët në gërmimet në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, por jo edhe ta paguajnë tërë shumën.

Për këtë punë ka edhe dilema morale. Por Kushtrim Gara thotë se nuk ka një vendim të prerë se a do ta paguante pala kosovare, nga buxheti i Kosovës, një kosto të tillë.

"Për këtë nuk e kemi marr ende vendimin. Nuk e kemi marr vendimin, por ne jemi shumë të gatshëm që çështja e mjeteve buxhetore mos me qenë arsye për t'u bllokuar puna në Rashkë. Domethënë, vendim s’kemi marr. Por jemi duke bërë përpjekje që procesi të përkrahet, të paktën që kjo ana buxhetore të mos mbetet arsyetim që puna të ndërpritet, apo mos të vazhdohen punimet”, thotë Gara.

Dilema ka edhe për përgatitjen e palës kosovare për bisedimet e radhës, të cilat pritet të zhvillohen brenda një javë në vendngjarje.

Arsim Gërxhaliu, i cili udhëheq ekipin kosovar thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht interpretimit të bërë për buxhetin që po kërkon pala serbe, të paktën ajo e ka hartuar një të tillë.

“Jemi faktikisht në pikën zero. Sepse ne ende nuk jemi të përgatitur që të shkohet atje. Nuk shkohet në një projekt kaq të madh, vetëm nisu dhe shko në Rudnicë. Sepse kemi të bëjmë me një projekt relativisht të madh", thotë Gërxhaliu.

Ndërsa, bashkërenduesi i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi, lutet që punët të vazhdojnë e të mos ketë më vonesa të tjera, qofshin ato për shkak të implikimeve buxhetore, apo edhe zgjedhjeve në Serbi, siç po aludohet.

“Jemi plotësisht të bindur që edhe kështu kjo çështje e ndjeshme, e dhimbshme, ka qenë në plan të dytë, kështu që edhe nga plani i dytë do të shtyhet dhe do të vonohet. Do të shtyhet, dhe do të neglizhohet kjo çështje, gjë që nuk do të duhej të ndodhte”, thotë Kasumi për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht se si do të zhvillohet tutje kjo çështje, Arsim Gërxhaliu thotë se gjërat do të kthjellen sado pak pas një jave.

“Në takimin e 14 marsit, i cili do të mbahet në Rudnicë, ne do të parashohim se si do të rrjedh ardhmëria e këtij lokacioni, pengesat teknike, profesionale që do të na presin gjatë katër muajve”, thotë Gërxhaliu.
XS
SM
MD
LG