Ndërlidhjet

Rashkë: Konfirmohet varreza masive në Rashkë


Gërmimet në Rashkë, 11 dhjetor 2013
Gërmimet në Rashkë, 11 dhjetor 2013
Gërmimet në varrezën e dyshuar masive në Rashkë të Serbisë, kanë rezultuar pozitive, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, një anëtar i ekipit kosovar në vendngjarje.

Drejtori i departamentit të mjekësisë ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë, se mjeko-ligjorët rreth orës 12:20 kanë “kanë hasur në mbetje mortore: rroba dhe eshtra të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë".

"Qëllimi ynë ka qenë ky, dhe i vërtetuam dyshimet tona”.

“Nuk e dimë se sa trupa mund të gjenden aty, por sipas fjalëve të Bruno Vekariq [kryeprokurorit serb për krime lufte], nga 250 deri në 450 viktima”,
tha Gërxhaliu.

Sipas tij, këto gërmimet e mëtejme do të japin një pasqyrë më të mirë të gjendjes në këtë varrezë masive, dhe për këtë gjë do të duhet të punohet edhe më shumë.

Mbetjet mortore, janë gjetur në pjesën anësore të një godine që shërben si bazë e një ndërmarrjeje për rrugët, e cila më parë ishte gurëthyes.

Arsim Gërxhaliu ndërkaq thotë se tani gërmimet do të kalojnë në një fazë tjetër.

“Tash është plani B, i ndërmarrjes së hapave të tjerë, dhe kjo nënkupton se duhet të rrënohet e gjithë shtëpia”, thotë ai.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, me këtë rast theksoi se ‘lokacioni ku aktualisht janë gjetur mbetjet mortore do të konservohet për procedim të mëtutjeshëm profesional".

"Është e rëndësishme të theksohet se mbetjet mortore janë gjetur pikërisht në hapësirën ku edhe ne kemi dyshuar, sipas kërkesës së proceduar qysh në muajin Shkurt, të vitit 2010, përmes Grupit Punues për Persona të Zhdukur", citohet të ketë thënë Gjetaj, në një komunikatë të lëshuar nga qeveria e Kosovës.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Prokurorisë serbe për krime lufte, kërkimet në Rudnicë të Rashkës përfshijnë gërmimet në hapësirën prej 250 metrash katrorë, në thellësi prej 6 deri në 8 metra.

Hetimi po bëhet në bazë të urdhërit të Prokurorisë për krime lufte të Serbisë, me ndihmën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe me praninë e anëtarëve të Komisioneve për personat e pagjetur të Kosovës dhe të Serbisë, të Komisionit ndërkombëtar për personat e pagjetur, si dhe misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Deri më tash, në këtë hapësirë, ku më parë ka qenë gurëthyesi në Rudnicë, janë realizuar tre raunde kërkimesh; në vitin 2007, në vitin 2010 dhe në vitin 2011.

Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara në gusht të këtij viti, në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1,727 persona, që nga periudha e luftës së fundit.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, thonë se ky numër aktualisht ka rënë në 1.721.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG