Ndërlidhjet

Nisin gërmimet në Rashkë


Gërmimet në Rashkë
Gërmimet në Rashkë
Gërmimet në njërën nga tri pikat e dyshuara si varreza masive në Rudnicë, në komunën e Rashkës, kanë nisur në orën 13, pas vonesës prej 1 ditë e gjysmë, konfirmojnë përfaqësuesit e ekipit kosovar të ekspertëve, të cilët po marrin pjesë në gërmimet në Rashkë.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, pas orës 13, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gërmimet kanë filluar.

“Momentalisht, para 10 minutash ka ardhur ekskavatori. Ka dy ditë, do të thotë, dje gjithë ditën dhe sot gjysmë dite, kemi pritur. Në orën 13 ka filluar gërmimi. Kanë dhënë arsyetime të natyrës teknik, se kanë pasur pengesa teknike dhe se një ekskavator nuk është ndezur... Ata (pala serbe) kanë thënë se kinse janë të gatshëm, por ne kemi dyshuar dhe jo vetëm dyshim, po është e bazuar se e kanë provokuar durimin tonë, se mos po tërhiqemi në kuptimin ‘ja, ne ishim të gatshëm, por ata nuk pritën’ ”, ka deklaruar Gjetaj.

Ai ka theksuar se kanë qenë të planifikuara 5 ditë për gërmime në njërën nga tri pikat e dyshuara si varreza masive në Tudnicë të Rashkës dhe se pa përfundimin e gërmimeve në këtë lokacion, nuk do të tërhiqen.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, të martën ka reaguar përmes një komunikate për media lidhur me vonesën e fillimit të gërmimeve në pikat e dyshuara në Rudnicë të Rashkës.

Në komunikatë thuhej se vonesat ishin pasojë e "mos-bashkëpunimit të palës serbe, e cila nuk ka shprehur gatishmëri për të ofruar mjetet e punës, të cilat janë të domosdoshme për fillimin e gërmimeve”.

Në anën tjetër, po ashtu përmes një komunikate për media, Prokuroria për krime të luftës në Serbi ka kundërshtuar deklaratat e palës kosovare, duke thënë se “nuk janë të qarta motivet e pohimeve të organeve të drejtësisë të Kosovës dhe se ato në mënyrë të panevojshme nxisin tensione dhe dyshime lidhur me qëllimin që deri në fund të hulumtohet ajo që është në interes të drejtësisë lidhur me viktimat”.

Zëvendësprokurori për krime lufte i Serbisë, Dragolub Stankoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hetimi për varrezat masive në Rudnicë të Rashkës ka nisur duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur, të cilat ai ua ka dhënë pjesëtarëve të EULEX-it.

Në deklaratë thuhet se në qershor të vitit 1999 e ka parë një kamion me mbetje mortore, i cili ka qenë i parkuar në lokacionin ku tash po bëhen kërkimet. Sipas tij, gërmimet e sotme kanë të bëjnë me definimin e vijës së bregut të liqenit, për të vazhduar kërkimet e mëtejshme, për shkak se regjistrimet satelitore kanë treguar se ai terren, afër gurëthyesit, ka pësuar ndryshime.

“Tash për tash, këto janë punimet më të mëdha dhe më të gjera, sepse në këtë hapësirë ka pasur punime që në vitin 2007, por në lokalitete tjera, të cilat nuk dhanë rezultate”, ka theksuar Stankoviq.

Ai ka thënë se hulumtimet do të bëhen me metodën e të ashtuquajturës forenzikë arkeologjike, për të zbardhur gjurmët eventuale, për të cilat ka folur dëshmitari i mbrojtur.

“Sipas deklaratave të dëshmitarit, kamioni i ka zbrazur mbetjet mortore në liqenin e atëhershëm. Pas kësaj, kemi marrë regjistrimet satelitore të vitit 1999, do të thotë të asaj kohe”.

“Përmes analizave të atyre regjistrimeve nga ana e ekspertëve tanë, kemi vërtetuar se në ato regjistrime shihen disa ndryshime në tokë, të cilat nuk janë karakteristike për punën në gurëthyes. Kjo na ka ka udhëzuar drejt përfundimeve logjike se aty është punuar diçka dhe se toka ka pësuar ndryshime”, është shprehur Stankoviq.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili u prin ekspertëve kosovarë në kërkimet në Rudnicë të Rashkës, ka theksuar se tashmë kanë humbur pothuajse dy ditë nga 5 sa ishin planifikuar për kërkime. Por, sipas tij, puna do të vazhdojë.

“Varësisht prej gjetjeve, ne do të qëndrojmë edhe më shumë. Nuk do të lëvizim nga këtu”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Prokurorisë serbe për krime lufte, kërkimet në Rudnicë të Rashkës përfshijnë gërmimet në hapësirën prej 250 metrash katror, në thellësi prej 6 deri në 8 metra.

Hetimi po bëhet në bazë të urdhrit të Prokurorisë për krime lufte të Serbisë, me asistencën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe me praninë e anëtarëve të Komisioneve për personat e pagjetur të Kosovës dhe të Serbisë, të Komisionit ndërkombëtar për personat e pagjetur, si dhe EULEX-it.

Deri më tash, pjesë të hapësirës ku më parë ka qenë gurëthyesi në Rudnicë, janë kërkuar tri herë, në vitin 2007, në vitin 2010 dhe në vitin 2011.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG