Ndërlidhjet

Komunitetet RAE: Rritet numri i fëmijëve që vijojnë mësimin


Komuniteti rom ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga arsimi e deri te punësimi.

Por sipas udhëheqësve të disa organizatave që merren me të drejtat e komuniteteve Rom Ashkali e Egjiptas, kohët e fundit janë bërë disa hapa pozitivë sa i përket përfshirjes së fëmijëve në sistemin arsimor.

Osman Osmani, qytetar rom, njëherësh udhëheqës i organizatës joqeveritare rome ”Iniciativa 6”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë ka bërë hapa konkret për përfshirjen e fëmijëve në sistemin arsimor duke përmendur edhe hartimin e kurikulës në gjuhës rome, e cila tashmë po aplikohet në shkolla.

"Në kuadër të ministrisë së arsimit është hartuar edhe korikula e gjuhës rome dhe është viti i tretë që projekti zbatohet në disa shkolla fillore, ku fëmijëve rom u ofrohet mundësia që të mësojnë historinë e komunitetit rom. Është rritur numri i fëmijëve që janë kyçur në arsim por ende ka sfida. Një numër i konsiderueshëm po e braktisin shkollën".

"Çështja e komunitetit rom në krahasim me kohë më parë në disa aspekte ka ndryshuar. Ka çështje pozitive që vlen të përmenden që ndihmojnë që arsimimi të jetë më i zbatueshëm në komunitetin rom. Më parë fëmijët nuk kanë qenë të kyçur në sistemin arsimor, derisa tash çështja në teren flet që fëmijët në arsimin e obliguar është rritur dhe një numër i konsiderueshëm ka vazhduar në shkollën e mesme dhe studime", bën të ditur Osmani.

Por sa i përket çështjes së arsimimit, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se është duke u zbatuar strategjia e integrimit për komunitetet RAE dhe komponenta e edukimit që i referohet këtij dokumenti, sipas tij, ka arritur progres.

"Fëmijët tash vijojnë shkollat, sidomos në disa komuna si Fushë Kosovë, Prizren, Gjakovë. Vlen të theksohet edhe ndarja e bursave nga Ministria e Arsimit për edukimin e niveleve të ndryshme si nivelin e lartë ehe të ulët. Kemi bërë prioritetet për vitin 2014/2015 për të drejtat e komuniteteve RAE dhe do të shqyrtohen prioritetet për këto komunitete duke e cekur sistemin arsimor", thotë Hajredini.

Edhe Bekim Syla nga organizata joqeveritare e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, ka deklaruar se numri i fëmijëve të këtyre komuniteteve që po kyçen në sistemin arsimor po rritet çdo ditë.

"Sa i përket komunitetit ashkali dhe egjiptas jemi të kënaqur sepse edhe në shkollën e mesme dhe në fakultet po rritet numri i fëmijëve që po vijojnë shkollimin", shprehet Syla.

Sipas zyrtarëve të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e komuniteteve, rreth 90 për qind e komunitetit rom janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale.

Në Kosovë jetojnë rreth 10 mijë romë, ndërsa 32 mijë janë egjiptas dhe ashkalinj.
XS
SM
MD
LG