Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë shqiptare drejt bojkotit të zgjedhjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin se Maqedonia duhet të ketë një president konsensual, i cili do të kishte legjitimitetin e shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në rast të refuzimit të kësaj kërkese, që duket se edhe do të ndodhë, BDI-ja nuk përjashton mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve.

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, tha ditë më parë se partia e tij nuk lëviz për asnjë milimetër nga kërkesa drejtuar VMRO DPMNE-së për gjetjen e një kandidati të pranueshëm për president, që do të kishte besimin e dy bashkësive etnike shumicë në vend.

Por, nga partia e Nikolla Gruevskit, e cila është në koalicion qeverisës me BDI-në, qartë kanë bërë me dije se kandidati i saj do të zgjidhet në konventën partiake më 1 mars, ndërkohë që janë duke shqyrtuar edhe pasojat që mund të paraqiten nga qëndrimet eventuale të BDI-së, në kontekst të prishjes së qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Bojkoti eventual i zgjedhjeve presidenciale ka zgjuar edhe debatet mbi legjitimitetin e kreut të shtetit, nëse zgjidhet pa votat e shqiptarëve.

Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese thotë se presidenti mund të zgjidhet për shkak të uljes së censusit në 40 për qind, por ai tërheq vërejtjen mbi pasojat nëse ai bojkotohet nga shqiptarët.

“Në qoftë se në këtë mënyrë zgjidhet presidenti i shtetit, domethënë pa vullnetin, pa votat e shqiptarëve, ai në një mënyrë do të jetë legal, por jo edhe legjitim. Kjo për faktin se pa marrë parasysh se i cilës parti është presidenti i shtetit, ai prej momentit kur zgjidhet president duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët, por që të jetë kështu, ai duhet ketë legjitimitetin e të gjithë qytetarëve”, thotë Kadriu.

Përveç BDI-së, mosinteresim për zgjedhjet ka shprehur edhe PDSH-ja e opozitës, e cila i ka propozuar një platformë partisë shqiptare qeverisëse me kërkesa për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Profesori Kadriu konsideron se zhvillimet e këtilla në skenën politike nuk përjashtojnë mundësinë e paraqitjes së krizave edhe më të thella në vend.

“Kështu, Maqedonia prej një krize politike, hyn në krizë edhe më të thellë politike, e cila do të reflektohet negativisht edhe në proceset euro-integruese, por edhe brenda shtetit, në veçanti në aspekt të marrëdhënieve ndërnacionale”, konsideron Kadriu.

Por, ndryshe nga ai, vlerëson Goran Iliq, njohës i çështjeve kushtetuese dhe profesor i sistemit politik në Universitetin e Shkupit.

“Unë mendoj se bëhet fjalë për komprometim të Presidentit dhe sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin kushtetues të Maqedonisë. Çdo përpjekje për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, është kundërkushtetuese”.

“Institucioni i vetëm ku mund të bëhet një gjë e tillë është Kuvendi i Maqedonisë, përndryshe presidenti zgjidhet nga qytetarët në dy rrethe zgjedhore dhe pa marrë parasysh nëse do ketë ose jo bojkot, presidenti do të zgjidhet dhe nuk mund të bëhet fjalë për delegjitimim të institucionit të presidentit të shtetit”,
thotë Iliq.

Për dallim nga profesori Kadriu, ai nuk pret ndonjë përshkallëzim të skenën politike në vend, apo tensione në raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Kjo situatë mund të reflektohet në aspekt të kushtëzimeve, të kërkesave nga BDI-ja në adresë të VMRO-së, e cila nuk lëshon pe për zgjedhjen e një presidenti konsensual siç kërkon partneri i saj shqiptar në qeveri, por kjo nuk do të ketë pasoja tjera më të mëdha që do të rrezikonin qeverisjen e tyre, përfshirë edhe raportet ndëretnike që do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme”, thotë profesori Goran Iliq.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 13 prill, ndërsa në rast të prishjes së qeverisë, atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 27 prill së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG